Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shkuar në takim në zyrën e kryeministrit Albin Kurti.
Ky takim është i përjavshëm dhe po mbahet një ditë para betimit të kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore.
Gjithashtu Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti ka biseduar në telefon të mërkurën me këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilin kanë disktuar zhvillimet e fundit në dialog por edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore më 23 prill.
“Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në njoftim.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë të enjten se kryetarët e komunave veriore nuk do të pranohen kurrë. Sipas tij, ata janë zgjedhur në zgjedhje të rreme.