Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se të mërkurën janë intervistuar 30 komisionerë të Komunës së Junikut e Deçanit nën dyshimin për keqpërdorim gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Nikçi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka deklaruar se në total janë mbi 200 persona që do të intervistohen në rajonin e Pejës. Ai sqaron se këtu përfshihen komisionerë e kryesues të qendrave të votimit.
“Sot kemi filluar intervistimin e komisionerëve të Junikut dhe Deçanit me ç’rast janë intervistuar 30 persona. Më pas do të merren në intervistë edhe kryesuesit e këtyre qendrave të votimit të cilët kanë qenë të implikuar në këtë proces. Është një numër i komisionerëve përfshirë këtu edhe të kryesuesve, janë diku mbi 200 persona të cilët që nga sot kanë filluar të intervistohen, po flas për pesë komunat që i përfshinë rajoni i Pejës. Kemi filluar me Komunën e Deçanit e Junikut për të vazhduar me të tjerat”, ka thënë Nikçi.
Tutje Nikçi ka theksuar se kanë grummbuluar prova dhe po grumbullojnë në vazhdimësi të cilat konsideorjnë se do të shërbejnë për këtë rast.
“Ne si prokurori kemi grumbulluar prova dhe jemi duke grumbulluar prova në vazhdimësi të cilat më vonë do të shërbejnë në këtë procedurë”
Në Pejë, kandidati që pati më së shumti dallime në vota ishte Taulant Kelmendi i Lëvizjes Vetëvendosje. Pas rinumërimi, atij iu hoqën 955 vota. Gjithashtu, Skender Thaqit e Gramos Agushollit të kësaj partie iu hoqën 387 respektivisht 360 vota.