176 ankesa të kompanive u refuzuan pa u shqyrtuar si pasojë e mungesës së Bordit të OSHP-së

176 ankesa të operatorëve ekonomikë janë refuzuar në kohën sa Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka qenë pa bord gjatë vitit 2022, ndërkohë që gjatë gjithë vitit ky institucion ka pranuar gjithsej 820 ankesa.
Këto të dhëna janë paraqitur të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për buxhet dhe financa, ku është shqyrtuar Raporti vjetor i punës i Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2022
Kryetarja e OSHP-së, Vjosa Gradinaj, ka paraqitur statistikat e ankesave dhe vendimeve që kanë marr si institucion. “Organi shqyrtues i Prokurimit gjatë vitit 2022 ka pranuar gjithsej 820 ankesa, prej të cilave 164 raste është vërtetuar vendimi i autoritetit kontraktues, 171 raste lëndët janë kthyer në rivlerësim, 52 raste është anuluar aktiviteti i prokurimit dhe janë lëshuar 3 urdhëresa dhe në 34 raste janë bërë përmirësim të dosjes së tenderit. Ankesat e refuzuara si të palejuara janë gjithsej 57 ankesa, të refuzuara nga periudha kur Organi Shqyrtues i Prokurimit ka qenë pa Bord janë 176 ankesa, të pasafatshme 23 ankesa, të refuzuara si të parregullta 12 ankesa, tërheqja e ankesës është bërë në 11 raste, kurse pajtimi i palëve është bërë në 29 raste”, ka theksuar Gradinaj.
Sipas saj me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), parashihet qartë që “vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit konsiderohen akte përfundimtare dhe të zbatueshme për palët. Mirëpo ajo ka thënë se në disa raste, disa nga Autoritet Kontraktuese (AK) i ka neglizhuar detyrimet e tyre të cilat, siç ka thënë ajo, shprehimisht burojnë nga Ligji në fjalë.
Ka perënduar në këtë rast mosrespektimin e vendimeve të OSHP-së, siç ka thënë, posaçërisht në rastet e veçuara si për rivlerësimin e ofertave e për anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Veprimet e tilla të AK përbejnë shkelje të LPP, krijojnë efekte negative në shfrytëzim racional të fondeve publike dhe vejnë në dilemë synimin institucional lidhur me planifikimin e nevojave në kuptim të nenit 8 dhe përmbushjen e tyre në kuptim të nenit 9. Njeherësh qasje të tilla bien ndesh edhe me parimet bazë të LPP-së, të cilat me Ligj kërkojnë shprehimisht nga AK të promovojnë përgjegjësi, etikë, punë profesionale dhe integritet”, ka deklaruar Gradinaj
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka pyetur lidhur me ankesat që janë refuzuar si pasojë e mosfunksionalizimit të Bordit të OSHP-së.
Ai ka thënë se e kupton që Qeveria dhe mazhoranca kanë dështuar për 14 muaj ta funksionalizojnë OSHP-në dhe se pasojat kryesore për këtë sipas tij, i vuajnë qytetarët për shkak të mosrealizimit të projekteve.
“Dhe për shkak të mungesës se anëtarëve të Bordit nuk ka pas as vendimmarrje, por edhe kur po ka vendimmarrje po shohim që ka neglizhencë dhe po vjen deri tek vendimet e ndryshme për mosbaztimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Si rezultat i moszgjedhjes së bordit për 14 muaj, ne e dimë që 176 ankesa pothuajse janë jashtëafatshme për shqyrtim, dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë çështje. Ne këtë element dua të pyes rolin e juaj si OSHP, si e keni marrë përgjegjësinë ju si OSHP me e konsiderua si jashtë të afatshme kur nuk ka qenë përgjegjësia e ankuesve, pasi ka qenë jofunksional vet Organi Shqyrtues i Prokurimit. A jeni konsultuar edhe me gjykatat e tjera apo keni marrë vetëm për bazë kriterin e afatit kohor, e shoh të dëmshme atë të përmbajtjes për çdo vendim që është dërguar si i jashtëafatshëm", ka theksuar Lushtaku.
Anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani, ka thënë se vendimi është i mbështetur në dispozita ligjore.
"Deri tek ai vendim kemi bërë rreth një muaj të vendosim. Është i mbështetur ne dispozitat ligjore, në afatshmëri dhe në shumë arsyeje tjera për të cilat kemi ardhur në përfundim se të gjitha ato e kanë humbur afatin për shqyrtimin e tyre. Palët gjithmonë kanë pasur të drejtë t’i atakojnë në gjykatë vendimet e AK-së", ka deklaruar Ramdani.
Gjatë diskutimit deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja, e ka pyetur zyrtarin kryesor financiar në OSHP, Agim Sheqiri, nëse ushtron edhe detyrën ekspertin OSHP.
“Ju keni raportuar që punoni si ekspert për institucione tjera, por në të njëjtën kohë a e keni cilësinë e ekspertit në OSHP”, ka pyetur Muja.
Sheqiri ka thënë se nuk është në regjistrin e ekspertëve por që nga viti 2012 është autorizuar “që të shqyrtojë dhe të vlerësojë ankesa në cilësi të ekspertëve brenda OSHP-së”, ka theksuar Sheqiri.
Raporti nuk është hedhur në votim pasi që anëtarët e Komisionit kanë kërkuar që t'u dërgohen dokumente shtesë lidhur me të dhënat që janë paraqitur në të.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.