Arbëri

Shala: Qeveria ta ndryshojë vendimin, të shkarkohet i gjithë Bordi i OSHP-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e ka cilësuar të gabuar vendimin e Qeverisë për të rekomanduar shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, dhe jo të të gjithë bordit, për vendimin pro importit të insulinave pa autorizim-marketingu.

Më 10 maj, Qeveria propozoi shkarkimin e Gashit, pas insistimeve të OSHP-së që të procedohet me tenderin për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit. Kryeministri Albin Kurti pati thënë se me vendimin e OSHP-së për furnizim me insulina po rrezikohet shëndeti publik. Qeveria pati arsyetuar vendimin për shkarkim të Gashit duke thënë se ajo ka udhëhequr panelin që ka marrë vendimin.

Image

Ndërkaq të mërkurën në Komisionin për Buxhet, gjatë shqyrtimit të propozimit të Qeverisë për këtë shkarkim, deputeti Shala e ka cilësuar të ngutur dhe gabuar vendimin.

“Konsideroj qe ne nuk duhet të ngutemi dhe të bëjmë gabime. Nëse ka ardhur një vendim i Qeverisë, Qeveria e ka të drejtën e vet, mendimin, por është edhe pavarësia e parlamentarëve me e dëgju palën. Nuk ka vendim individual, nuk është as etike që ne tani ta drejtojmë gishtin tek një person që realisht ka paqartësi dhe për një vendim që ka qenë kolektiv. Të tërit kanë shkelë ligjin, konsideroj se Qeveria duhet ta tërheqë këtë vendim dhe ta sjellë vendimin për të gjithë, e jo kështu të selektojë dikë më mik e dikë më armik, sepse nuk është as e ligjshme e as e moralshme”, ka deklaruar Shala.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi se si Ministria e Shëndetësisë e refuzoi për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt. OSHP-ja i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit.

Zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi ka arsyetuar vendimin e Qeverisë duke thënë se OSHP-ja nuk ka pasur parasysh ligjin, por aktin nënligjor që s’është në pajtim me ligjin. Ajo ka thënë se tre anëtarë kanë “sjellë vendimin që shkel ligjin, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve”. Sipas saj, “vendime të tilla të papërgjegjshme nuk mund të mos marrin përgjigje të Qeverisë”.

Ndërsa Gashi ka refuzuar ta komentojë vendimin e Qeverisë, duke shtuar se ka dorëzuar informata shtesë, siç janë kërkuar.

“Kemi dhenë edhe materialin prej nga kemi marrë vendimin. Më duhet me e njoftu Qeverinë që këtë vendim nuk e kanë marrë tre anëtarë, por pesë. Në rastin e dytë është e vërtetë që kanë qenë tre anëtarë sepse rregullorja e parasheh, por përsëri aktiviteti është kthyer në rivlerësim. OSHP-ja është organ administrativ. Nuk ka shpallur fitues. Nuk ka lejuar të hyjnë barna pa autorizim-marketing”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se me unanimitet ishte vendosur që lënda të kthehej në rivlerësim e “për të mos bërë vepër penale kemi lëshuar urdhëresë që thotë urdhërohet autoriteti kontraktues, MSH-ja ta zbatojë vendimin”.

“Asnjë s’është udhëruar ta nënshkruajë kontratën. Si me e urdhëru kur nuk ka fitues. Rivlerësim nuk do të thotë që i njëjti të mos anulohet përsëri, por organi më i lartë ka të drejtë të kthejë në rivlerësim”, ka thënë ajo duke publikuar dosjen e tenderit për të cilat i përcakton kriteret vetë autoriteti kontrakturës.

“Organi Shqyrtues zbaton procedurën administrative deri te një vendim. Për këtë vendim që kemi marrë që të kthehet dosja në rivlerësim kemi dorëzuar kërkesa që janë parashtruar nga Autoriteti Kontraktues, ekspertiza e kryer nga Hasim Krasniqi që vlerësim se ky aktivitet i prokurimit duhet të kthehet në rivlerësim. Është ekspertiza pasi kemi ardhur, e lëshuar nga Agim Sheqiri. Për këto vendime, operatorët të cilët kanë pasur interes si dhe vetë MSH-ja, na kanë atakuar në Gjykatë. Për këto, gjykata na ka mbështetur. Ka thënë decidivisht: Organi më i lartë administrativ ka të drejtë ta kthejë në rivlerësim”, ka thënë Gashi.


Përplasen Lushtaku e zëvendëskryeministrja Rexhepi

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, e ka kthyer në politike çështjen. Ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryeministri Albin Kurti nuk janë të interesuar për shëndetin publik, por po mbrojnë krimin dhe korrupsionin.

“Unë e kam parë me një sy tjetër çështjen e vendimit, meqenëse kam ngritur këtë çështje dhe jam ballafaquar me Arben Vitinë dhe e di më thellë çështjen. Pse një lëndë sikurse është kjo e insulinave i mohohet qytetarëve të furnizohen me një produkt kaq esencial. Po shihet që Qeveria është duke mbrojtur krimin, lojtarët e vet në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne e dimë që nuk keni të drejtë të shkarkoni asnjë anëtar të Bordit, veçse ka shkelje të dëshmuara me fakte dhe në këtë rast nuk keni dëshmuar asnjë fakt. Ne si Komision kemi një rregull që të zbatojmë ligjin. Në ketë drejtim po shohim qartë që Kimete Gashi ka shkel ligjin dhe atë e ka bërë në mënyrë personale dhe jo kolektive. Pastaj, ana tjetër është që keni kërkuar rivlerësim, pse nuk i keni besuar ju organit shqyrtues të prokurimit. Ne të gjithë jemi këtu për shëndetin publik, por vetëm MSH-ja, konkretisht Vitia nuk është për shëndetin publik. Albin Kurti nuk është për shëndetin publik. Po shihet qartë qe ju po mbroni krimin dhe korrupsionin. Shikoni kush është mbrapa një kompania.  Qeveria qysh po e mbron ambasadorin Berishaj e Krasniqin, po mbron edhe këta”, ka thënë ai.

Zëvendësministrja Emilja Rexhepi ka thënë se nuk do të futet në detaje, por nëse, sipas saj, është konstatuar që është shkelur ligji, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

“Konsideroj se nëse për mua është ligji i shkelur, nëse Qeveria konsideron se ligji për etikën profesionale është shkelur atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësinë. Unë nuk dua të futem në tendere kush qëndron prapa kujt. Insulina është diçka që duhet të jetë primare dhe mijëra qytetar e shfrytëzojnë atë. Në takimin e fundit të Qeverisë kemi vendosur se Kimete Gashi e ka shkelur këtë kod të cilin ja delegon OSHP-ja që të punojë në kuadër të ligjit. Nuk kam personale me këtë grua, por konsideroj se nëse heshtim për këto gjëra do të vijmë te shumë gabime që po i kushtojnë shoqërisë tanë", ka thënë Rexhepi.

Por Lushtaku ka thënë se ministri Vitia nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë dhe të tregojë që MSH-ja ka kontrata të nënshkruara pa këtë licencë.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se vetë dërgimi i Rexhepit në Komision për ta përfaqësuar Qeverinë tregon seriozitetin e këtij ekzekutivi. Shala ka thënë se zëvendësministrja nuk e njeh temën dhe po merr kohën kot. Ka kërkuar të vijë ministri Vitia.

Shala po kërkon që të vazhdohet me pikën e gjashtë, “shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.