Arbëri

Beteja e brendshme politike në Serbi mund të ndikojë në procesin e dialogut

 

Zgjedhje të parakohshme parlamentare e riformatim të Qeverisë ka paralajmëruar për në shtator presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këto zgjedhje analistët në Kosovë i kanë interpretuar si synim të Vuçiqit për forcimin e strukturës politike. E për ndikimin e tyre në rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi ata kanë shprehur qëndrime ndryshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është kundërpërgjigjur opozitës në këtë vend, duke thënë se më së largu në shtator do të ketë zgjedhje të reja parlamentare. Ai ka thënë se këtë plan do të zbulojë në mitingun e 26 majit, që e ka thirrur si kundërpërgjigje për protestat që ditëve të fundit ka organizuar opozita, e ku është kërkuar dorëheqja e tij.

“Epo, po ju them se nuk do të mund të bëni gjë me dhunë. E sa i përket demokracisë, jam i gatshëm të dal në përballje. S’ka problem, do ta informoj popullin më 26 maj.... do të shkojmë në zgjedhje. Zgjedhje do të ketë më së largu në shtator, dhe s’ka filozofi këtu, zgjedhje në shtator”, ka thënë Vuçiq të dielën, gjatë qëndrimit në Smederevë.
E këto zgjedhje, analistët politikë në Kosovë i interpretuan si synim të Vuçiqit për ta forcuar strukturën e tij politike me qëllim të legjitimit të pushtetit, por edhe për të zvarritur procesin e dialogut.