Von Cramon në konferencë për media është pyetur edhe për vendimin që ka marrë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme për shpronësimin e tokave në Leposaviq e Zubin-Potok për realizimin “e projekteve infrastrukturore për interes publik”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Është e papranueshme. Është një prej arsyeve që pasi të shkoj në Kosovë do të shkoj në veri të Kosovës e të flasë më tepër me qytetarët atje. Më pas do ta konfrontoj Qeverinë në Prishtinë me këtë situatë. Është një nga detyrat e mia dhe të them shqetësimet kryesore për momentin. Shohim se stabiliteti në veri, nëse mund ta quajmë stabilitet, është shumë i brishtë. E nuk mund të pranojmë të shtojmë më tepër benzinë në këtë proces”, tha Von Cramon në konferencë për media në Strasburg.
Ajo po ashtu ka thënë se situata mes dy palëve është më mirë se që ishte një vit më parë.
“Mendova se marrëveshja e Ohrit dhe ajo bazë, ishte perfektë dhe ne shtymë që të shkohet para e të zbatohet sa më shpejt, t’i përmbahemi afateve që u pajtuam. Por, e shohim se është procedurë e vështirë. Unë personalisht kam menduar se zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës do të duhej të ishin një test i mirë. Që të themi po në njërën anë e të shtyjmë më tepër Qeverinë e Prishtinës, por në anën tjetër shpresoja që Lista Serbe me pjesëmarrjen në zgjedhje do të dërgonte sinjkal pozitiv se është e gatshme të kthehet në instituciohe. Mirëpo, në përgjithësi nuk jam aq pesimiste sa isha një vit më parë”, tha Von Cramon.
Ndërkohë raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Biliçik, tha se ka përparim. Ai ka bërë thirrje që të zbatohen plotësisht marrëveshjet dhe të evitohen tensionet.
“Po të thosha një vit më parë se në maj të vitit 2023, do të kishim diçka si marrëveshjen e Brukselit, të Ohrit e Deklarata për personat e zhdukur, ndoshta njerëzit do të më shihnin çuditshëm. Kor kemi parë progres, edhe kur vjen te angazhimi. Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq po flasin me njëri-tjetrin, po takohen me shpesh dhe kjo sjell rezultate. Mund të mos jemi aq të lumtur sa duhet me rezultatet. Shpresoj që aleatët tanë amerikanë do ta përkrahin plotësisht dialogun, pasi është në interes të të gjithëve. Është me rëndësi të punohet në zbatim. Zbatimi mund të sjellë më tepër besim në proces. Kjo është pjesa më e vështirë. Mendoj se duhet përkrahje më të madhe, unitet e inkurajim nga të gjitha institucionet”, tha Biliçik.
Ndërkohë në lidhje me shpronësimet në veri, Biliçik tha se duhen evituar masat që nxisin tensione ndër të tjera. Ai ka bërë thirrje të evitohen tensionet.