Arbëri

Von Cramon: BE-ja qëndron me Kosovën dhe e përkrah rrugën e saj drejt integrimit

Viola von Cramon - konference ne Kosove

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se Bashkimi Evropian e përkrah Kosovën dhe aspiratat e saj drejt integrimit evropian.

Von Cramon ka thënë se dëshmi për këtë është miratimi i raportit për Kosovën në Parlamentin Evropian.

“Është sinjal i vlefshëm se Kosova është partnere e vlefshme, e BE-ja mbetet e përkushtuar për zhvillimin e saj, stabilitetin dhe prosperitetin”, ka thënë Von Cramon në konferencë për media.

Ajo ka lavdëruar qytetarët e Kosovës dhe qeverinë për progresin e bërë gjatë viteve të fundit, për përkushtimin ndaj vlerave demokratike, luftimit të korrupsionit, si dhe rreshtimit të politikës së jashtme me atë të BE-së.

“Por, është esenciale të njihen edhe sfidat, si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e lirisë së mediave, tranzicioni i gjelbër dhe konsolidimi i mëtejmë i sundimit të ligjit”, ka thënë Von Cramon.

Ajo ka thënë se është vënë në pah moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.

Ndërsa sa i përket për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë se përkrahin punën e emisarit Miroslav Lajçak dhe se presin zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit.