Arbëri

Kurti: Qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në disa raste niveli i qeverisjes lokale po përdoret si opozitë ndaj nivelit qendror. Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se Qeveria ka ndarë buxhet rekord për komunat.

Kurti ka thënë se për financimin komunal nga Komisioni i Granteve ka ndarë mbi 742 milionë euro për buxhetin komunal.

“Javën tjetër do të mbajmë takimin e radhës me komunat të katërtin deri më tani. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale po përdoret për opozitë nivel qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është tani. Qeveria është e të gjithëve, edhe e komunave e komunat janë të qytetarëve jo të partive politike”, ka thënë Kurti në nisjen e mbledhjes.

Dy ditë më parë, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, akuzoi Qeverinë dhe Kurtin për anashkalim të komunave në vendimmarrje dhe mosadresim të shqetësimeve të ngritura nga niveli lokal.

Vendimet:

Në kuadër të shqyrtimit të draftit të programit për zyrën për çështje të komuniteteve kanë dhënë vërejtje ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi. Me to është pajtuar Kurti që ka thënë se duhet të bëhet më shumë jo vetëm në një ministri apo në një zyrë.

“Besoni që duhet të shërojmë pak situatën me gjithë ato keqpërdorimet që janë bërë”, ka thënë Kurti.

Qeveria ka miratuar projektudhëzimin administrativ për trajtimin mjekësor dhe psikologjik të fëmijëve, viktimë të abuzimit, për t’i ndihmuar në rehabilitim dhe për t’u riintegruar në shoqëri.

Është miratuar edhe themelimi i komisionit ad-hoc për shqyrtimin e ankesave në procesin e rekrutimit të kandidatëve për Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës me përbërje të: Agron Gashit, Fahrije Qorrajt, Shkurte Krasniqit.

Miratim ka marrë edhe plotësimi i vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në raport me luftën në Ukrainë. Në këtë pako përfshihen eksportet e teknologjisë, importet e asfaltit dhe gomës sintetike, transiti i mallrave përmes Rusisë e disa të tjera, ka bërë të ditur ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Pas dorëheqjes së dy anëtarëve të Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, Qeveria ka miratuar emrat e Behrije Ramaj dhe Ylber Gjocaj për anëtarë të rinj.

Qeveria ka miratuar edhe vendimet preliminare për ligjshmërinë për shpronësim të disa pronave në Obiliq dhe Fushë-Kosovë për realizimin e projektit “ndërtimi i Parkut Fotovoltaik”, dhe në Leposaviq e Zubin-Potok për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik”. Në këtë vendim ka abstenuar ministri Rashiq.

Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes me SHBA-në për Masat e Sigurisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Qeveria ka miratuar edhe draftin e konceptdokumentit për Kodin e Komunikimeve Elektronike.

Qeveria ka dhënë po ashtu opinion pozitiv për projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Është miratuar edhe vendimi për emërimin e komisionit të pranimit për institucionet e administratës shtetërore për grupin: Specialist i përgjithshëm i shkencave politike, grupi 8, që ka mandat dyvjeçar me këtë përbërje:

1. Shqipe Abdullahu, Zyrtare në DMZP/MPB, kryesuese;

2. Lirie Berisha, Drejtore e Departamentit, MPJD, anëtare;

3. Vigan Berisha, Udhëheqës i NMBNJ/MPJD anëtar;

4. Besim Berisha, Udhëheqës i Divizionit, MPJD anëtar;

5. Arben Hajrullahu, Universiteti, anëtar;

Zëvendësues të anëtarëve të Komisionit:

1. Zade Kuqi, Zyrtare e Lartë DMZP/MPB;

2. Riza Fazliu, Udhëheqës i Sektorit të Inspektimit, MASHTI;

3. Hamdi Reqica, Udhëheqës i Drejtoratit, MPJD;

4. Mirsada Voca, Udhëheqëse e Divizionit, MPJD;

5. Feim Maliqaj, Organizata të specializuara