Arbëri

Berisha: Kurti kundërshtoi draftstatutin e Asociacionit për të shitur patriotizëm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se kryeministri Albin Kurti kundërshtoi draftstatutin e Asociacionit të paraqitur nga Ekipi menaxhues në takimin e 2 majit në Bruksel për të shitur patriotizëm te populli.

Sipas Berishës, me dakordimin për planin franko-gjerman më 27 shkurt, Kurti ka hequr mundësinë që draftstatuti i Asociacionit të kalojë në filtra të Gjykatës Kushtetueses, por tash sipas tij, do të interpretohet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. 

“Në takimin e 2 majit është sjellë një draftstatut nga grupi i caktuar nga Qeveria e Kosovës. Ai draftstatut, me atë përmbajtje, pati ingerenca të shtetit. Është më e rrezikshme se Republika Sërpsa, është totalisht e pavarur. Kryeministri e ka ditur që ekziston ky grup, është caktuar kohë më parë. Sipas marrëveshjes së vitit 2015, statuti i Asociacionit duhet të kalonte në filtrat e Kushtetueses kurdo që bëhej. Por me dakordimin e planit franko-gjerman, interpretimi i kalon Miroslav Lajçakut”, ka thënë Berisha në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Berishës, nëse Kurti do ta pranonte marrëveshjen e vitit 2015 tani do të kishte drejtë ta dërgonte draftsatutin në Kushtetuese.

“Kryeministri e kundërshtoi sa për konsum të brendshëm për ta fshehur dëmin e madh që po i bën Kosovës, për të shitur patriotizëm te populli. Nëse ky kryeministër do ta pranonte marrëveshjen e 2015-s, tani do të kishte të drejtë që këtë draftstatut ta dërgonte në Kushtetuese. Kryeministri bën deklarata me ushqy popullin me patriotizëm”, ka shtuar deputeti i PDK-së.

Ai ka konsideruar se deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti pas takimit të majit janë forma "më maskine për të shfaqur pakënaqësi e për ta ruajtur imazhin e patriotit te populli".

“Çdo shqiptar që e do këtë vend, duhet të di që kjo ka të bëjë me tradhti të interesave të shtetit”, ka thënë Berisha.

Shkarkimin e Ekipit menaxhues për draftstatutin e Asociacionit, Berisha ka thënë se Kurti e ka bërë për t’iu hedhë hi syve të popullit.

“S’ka pas nevojë me shkarku. Ata e kanë kryer misionin. Është e shpërndarë. Kjo forja me shkarku, është me ju hedh hi syve të popullit. Komisioni vetvetiu konsiderohet i shkarkuar kur ta kryen punën. Ishte përrallë e Kurtit”, ka shtuar tutje Berisha.

Deputeti i PDK-së ka theksuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri dhanë mesazhin që serbët në veri duan autonomi më të madhe se Asociacioni dhe se nuk e njohin Kosovën. Prandaj, sipas Berishës, dalja e serbëve nga institucionet ishte hendikep për Kosovën e jo për Serbinë.