Opozita e kushtëzon votimin në Kuvend me çështjen e mjeteve vetjake të komunave

- 13:46Opozita e kushtëzon votimin në Kuvend me çështjen e mjeteve vetjake të komunave
- 11:49Murati – LDK-së: S’keni të drejtë morale të flisni për çështjen e të zhdukurve
- 11:29Haxhiu: PDK-ja e Hashim Thaçi kanë dashur t'i amnistojnë krimet e Serbisë
- 11:08Haradinaj i bën thirrje Qeverisë t’i rrisë pagat në sektorin publik
- 11:03Quni thirrje qytetarëve ta respektojnë prokurorin Isufaj, pavarësisht deklaratave të pushtetit
- 10:54Hoxha: Kurti duhet t’u kërkojë falje familjeve të të pagjeturve për dy mashtrime që i ka bërë
- 08:14Kuvendi mblidhet sot, në rend dite ndryshimi i Ligjit për kategoritë e dala nga lufta
Opozita e kushtëzon votimin në Kuvend me çështjen e mjeteve vetjake të komunave
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, ka përplasur pushtetin me opozitën.
Vlora Dumoshi e LDK-së ka thënë se grupi ka marrë vendim politik “për të mos marrë pjesë në votim derisa ministri i Financave t’i zhbllokojë mjetet vetanake të Komunave”.
Arben Gashi ka thënë se ministri Hekuran Murati ka dashur t’ua marrë komunave të hyrat.
“Ky ministri këtu e ka sjellë këtë problem dhe duke u sjellë me këtë gjuhë të padinjiteshme. Fol sa të duash ti zotëri ke dashtë me ua marrë komunave të hyrat nuk do të mundesh zotëri”.
Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se barrikadimi që bllokon seancën nuk i bën nder askujt. Ajo i ka bërë thirrje LDK-së që ta bëjë një amandament për ta zhbllokuar punën.
“Është e vërtetë që ministri Financave e ka për detyrë menaxhimin e buxhetit dhe e ka për detyrë respektimin e ligjit po ashtu. Ne e patëm mbështetë amandamentin e LDK-së në buxhet dhe njëjtë do ta bëjmë nëse sjell një amandament tjetër që të hiqet kufizimi ligjor qe e ka thesari i financave aktualisht. Barrikadimi në pozicione që e bllokojnë seancën dhe i shtyjnë marrëveshjet ndërkombëtare nuk i bën nder askujt. Prandaj i bëj thirrje publike LDK-së në emër të LVV që ta bëjë një amandament të cilin ne do ta votojmë në mënyrë që të zhblloket puna dhe të mund të procedohet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Besnik Tahiri nga AAK-ja ka theksuar se qasja e MF-së po e dëmton konsensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare.
“Ne sot po e trajtojmë një marrëveshje të rëndësishme që lidhet me arsimin. A jeni duke e parë çka është duke bërë ministri i financave. E kemi mbështet një amandament në buxhet me të vetmin qellim që të hyrat vetanake të komunave tu kthehen atyre. Ky ka qenë qëllimi. A jeni duke e parë qe kjo qasje është ka e dëmton në esencë konsensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje të tjera. Sepse ne si opozitë kemi votuar edhe ligje. Ne nuk mund të ndahemi prej opozitës në tema të tilla sepse jemi dakorduar për adresimin e çështjes së të hyrave vetanake. Çfarëdo tendence është LDK të bëj amandamente tjera është me qëllim të krijimit të bllokadave tjera”, ka thënë Tahiri.
Gashi ndërkohë ka shtuar se ligjin nuk po do që ta zbatojë ministri, duke i bërë thirrje që ta sjellë në Kuvend për ndryshim.
“Ne nuk kemi probleme me ligjin ne s’kemi çka të propozojmë ne presim prej tij vetëm ta respektojë ligjin. Ne nuk e dimë ku e ka ky problemin. Ky po thotë që ligji nuk është në rregull le ta bie në kuvend dhe le ta ndryshojë e mos të sillet si kapadai”.
Ministri Murati ka thënë nga ana tjetër se opozita po kërkon diçka që nuk shkruan në ligj.
“MF nuk ka problem me interpretimin e ligjit të buxhetit aty shkruan të hyrat e vitit 2022 barten për vitin 2023. Tash opozita po thotë barti edhe te hyrat paraprake edhe pse nuk shkruan në ligj. Ja që po del se nuk është shkruar si duhet amandamenti në buxhet. Nëse LDK mendon që duhet të ndryshohet duhet të bëjë një amandament tjetër. Nuk mund të pretendohet që MF po i bllokon”.
Pasi që nuk ka pasur kuorum për votimin e kësaj marrëveshjeje, Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:30.
Bahrim Shabani merr pozitën e nënkryetarit të Kuvendit
Deputeti i Grupit Multietnik, Brahim Shabani, ka marr mbështetjen e 73 deputetëve për t’u bërë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai është votuar për këtë pozitë në seancën e së enjtes, pasi që nënkryetari Bekim Arifi kishte dhënë dorëheqje.
Murati – LDK-së: S’keni të drejtë morale të flisni për çështjen e të zhdukurve
Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, kanë debatuar mes vete për çështjen e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë dhe trajtimit që iu është bërë kësaj teme nga qeveritë.
Murati ka thënë se Qeveria Hoti ka nënshkruar marrëveshje ku nuk përmendet as emri i shtetit të Kosovës, por thirret në kryeqytet. I ka thënë LDK-së se nuk ka të drejtë morale dhe profesionale të flas për këtë çështje.
“Për t’ia rikujtuar në Washington cka ka nënshkruar Qeveria Hoti, është: të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Më poshtë thotë: do t’i koordinojmë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës. Domethënë as emri i shtetit nuk figuron në marrëveshje. Së paku emrin e shtetit është dashtë ta përmendni. A keni qenë ju i nderuar deputeti Selmanaj në atë kohë, a i keni lexuar çfarë po nënshkruani, a e keni pa çka po shkruan në atë tekst. Ju lutem, nuk keni të drejtë morale e as profesionale për të folur për këto tema”, ka theksuar Murati.
Deputeti Driton Selmanaj drejtuar ministrit të Financave ka thënë se VV-ja nuk mund të arrijë atë që ka arritur LDK-ja në Shtëpinë e Bardhë, edhe sikur t’i ketë tri jetë.
“Unë po provoj të diskutoj së paku me njerëzit që na shikojnë sepse vërtetë nuk ia vlen me nivelin e tij. Në marrëveshjen e Washingtonit ti djalë i mirë, edhe tri jetë mi pas ti s’ke me mund me e mbërri çfarë kemi arritur në Shtëpi të Bardhë”, ka thënë ai.
Haxhiu: PDK-ja e Hashim Thaçi kanë dashur t'i amnistojnë krimet e Serbisë
Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është përgjigjur deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, duke thënë se partia që ajo përfaqëson ka bërë përpjekje që t’i amnistojë politikisht krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se është e papranueshme që të mos njihet kontributi i kësaj qeverie për adresimin e krimeve të luftës. Ajo ka thënë se me Deklaratën për Personat e Zhdukur, Serbia bëhet përgjegjëse për krimet e zhdukjes me forcë.
“Për herë të parë, çështja e të zhdukurve po trajtohet me prioritet nga Qeveria. Nënshkrimi i Deklaratës për të Zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive. Obligohet të mos pengojë gërmimet, siç ka ndodhur në vazhdimësi. Me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës. Është e papranueshme që një deputete e Kuvendit thotë që Serbia nuk e obligon, pasi kjo është ajo që Serbia do që të dëgjojë. Është e papranueshme të mos njihet kontributi i Qeverisë për adresimin e krimeve të luftës. Ka pasur përpjekje nga qeveritë e kaluara, nga njerëzit e PDK-së, të amnistohen krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë”, ka thënë ajo në Kuvend të enjten.
Haxhiu më pas ka lëshuar një deklaratë të ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuqi, i cili flet rreth amnistimit të krimeve të luftës.
“Këtë qasje e ka ndjek PDK-ja, këtë qasje e ka ndjek edhe Hashim Thaçi. Po të mos ishte adresuar nga mediat dhe opozita e asaj kohe, ka pasur përpjekje për amnistimin e krimeve. Juridikisht s’mundet, por politikisht ka pasur përpjekje. Prandaj Serbia është amnistuar në kohën që ju keni qeverisur. Ju lutem mos flisni gjëra që as vetë si besoni. Serbia është shfajësuar në kohën kur keni qeverisur ju”, ka thënë Haxhiu.
Deputetja Eliza Hoxha ka thënë se çuditet me komoditetin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu derisa flet.
“Ma gjej diku në Konventa ndërkombëtare që gjendet diku termi ‘forcibly disappeared’. Po ta rikujtoj që Organizata ‘Integra’ ka nisur iniciativën për drejtësi tranzicionale në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe presidentja Osmani nuk është marrë me të. Tash po merreni ju”, ka thënë ajo.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se si parti janë kujdesur shumë që të mos e amnistojnë Serbinë e as të mos i barazojnë institucionet.
“Zhdukja me dhunë bëhet nga agjentët shtetërorë. Edhe në Qeverinë Hoti, çështja e të pagjeturve ka qenë prioritet”, ka thënë ai.
Bislimi: Zero urgjencë për trajtimin e çështjes së të zhdukurve nga qeveritë e kaluara
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se gjatë qeverisjeve të kaluara çështja e të zhdukurve nuk është trajtuar asnjëherë me urgjencë.
Ai ka theksuar se deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e pati quajtur të ezauruar këtë çështje.
“Sa i përket deklaratës për të zhdukurit me forcë. Një deklaratë është dakorduar në Bruksel edhe nga z. Hoti më 2020. Këtu thuhet që me çështjen e të pagjeturve do të merremi një vit pas Marrëveshjes finale. Zero emergjencë për trajtimin e kësaj çështje. Kujtojmë që deputeti Driton Selmanaj e pati quajtur të ezauruar këtë çështje”.
E, deputeti Driton Selmanaj, ka thënë se është fat i tmerrshëm i Kosovës që ka një nivel të tillë të përfaqësimit. Sipas tij, të pagjeturit janë fakte historike dhe sipas tij kanë qenë top prioritet i Qeverisë Hoti. “Por ju e dini që ka qenë kryesore për Qeverinë Hoti që të mos hyjmë në asnjë çështje tjetër pa njohjen reciproke. Nuk është ai dokument që e prezantuat. Unë e kam përsëritur qindra herë, çështja e raportimit si instrument është konsumuar, kurrë në jetën time nuk kam thënë që çështja e të pagjeturve është konsumuar”, ka thënë ai.
Haxhiu: Çfarë zori ka LDK-ja që po e ndihmon Blerim Isufajn
Ministrja e Drejtësisë i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së, Anton Qunin, për kandidatin për kryeprokuror, Blerim Isufajn
Haxhiu ka thënë se nuk e kupton “zorin” e LDK-së që ta ndihmojë një kandidat për kryeprokuror të shtetit.
“Unë nuk e kuptoj se çfarë zori duhet ta ketë një subjekt opozitar të dalë në Kuvend dhe ta ndihmojë një kandidat për kryeprokuror te shtetit. Cili është zori që e ka LDK-ja? Cila është marrëveshja që mund ta keni bërë apo që e keni pasur me të. Për çfarë dosje jeni marrë vesh. Është e rëndësishme të jeni transparent dhe jo ta akuzoni qeverinë për procesin në të cilin ka kaluar ky kandidat”, ka thënë ajo.
Haradinaj i bën thirrje Qeverisë t’i rrisë pagat në sektorin publik
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë kësaj kohe është rritur luksi pushtetar.,
Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta rrisë buxhetin e paraparë për pagat, për të gjithë sektorin publik dhe jo vetëm për një kategori.
“Jemi në fillim të majit e zakonisht në qershor përgatitet rishikimi i buxhetit. Pra kemi kohë të mjaftueshme për të gjetur zgjidhje për çështje të ndryshme. Në këtë vit dinamika është e njëjtë, i vetmi zhvillim i mirë deri sot janë mallrat dhe shërbimet, pra është rritur luksi pushtetar. Qeveria ka kohë që ua ka hequr rrezikshmërinë Policisë së Kosovës. Logjika e tillë është e pakuptimtë. Deri në qershor kërkoj nga qeveria që të bëjë një plan qe buxhetin e paraparë për pagat. Pra, për të gjithë sektorin publik, jo vetëm për një kategori. Mos lejoni që buxheti të mos implementohet e pagat të mos rriten. Nëse nuk rriten pagat deri më një janar do të mbani përgjegjësi”, ka thënë ai.
Deliu-Kodra e akuzon VV-në për kapje të institucioneve
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se pushteti aktual po bën përpjekje të jashtëzakonshme për të përmbytur demokracinë, e sipas saj nuk është asgjë e re që pushteti po mundohet të vendosë kontroll edhe mbi mediat.
Ajo ka thënë se i njëjti rrezik po ndodhë edhe me KPM-në.
“Për çështjen e KPM-së ka reaguar edhe sekretari i Federatës së gazetarëve. Ndërkohë që ne dje kishim shënimin e Ditës ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Nëse e krahasojmë me rajonin klima e të bërit gazetari në Kosovë është më e mirë, por prej vitit 2017 ka shtim të sulmeve ndaj gazetarëve. Ajo që është më e rëndë është fakti se institucionet e Kosovës nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim për ta cilësuar si të papranueshëm. Qeveria Kurti do të mbahet mend si qeveria më e mbyllur ndonjëherë. Kjo kapje e institucioneve e minon demokracinë”, ka thënë ajo.
Quni thirrje qytetarëve ta respektojnë prokurorin Isufaj, pavarësisht deklaratave të pushtetit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i ka dalë në mbrojtje prokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili kohëve të fundit ishte në shënjestër të sulmeve nga pushteti.
Quni ka thënë se e njeh Isufajn nga kohërat e vështira, duke iu referuar luftës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që një prokuror si ai të respektohet pavarësisht deklaratave të zyrtarëve shtetërorë.
“Sot dua të flas për një dukuri që për mua është e pamoralshme. Këtu në Kuvend, në debate dhe intervista nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të mbështetur nga analistët lojalë të pushtetit, është përfolur prokurori i Shtetit, Blerim Isufaj, duke u cilësuar si i padenjë për detyrën që e ushtron. Ai përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore, u përfol dhe u etiketua si shantazhues, sabotues, tekanjoz deri te përmasat e një mostrumi anti-kombëtar”, ka thënë Quni në Kuvend të enjten.
“Kur përgjithësimet e tilla bëhen nga zyrtarët e lartë shtetërorë, ato bëhen të besueshme edhe për një numër të madh qytetarësh. Do të ishte e besueshme edhe për mua po të mos e njihja personalisht. E njoh që nga kohërat e vështira, me përgjegjësi e them. Jam dëshmitar se si Blerimi me uniformën e UÇK-së i doli Zot atdheut. Ishte shembull i mirë i bashkëluftëtarit. Asnjë moment trishtimi, edhe kur e shihte vdekjen me sy. Ai vazhdoi një luftë tjetër kundër kriminelëve po aq të rrezikshëm për jetën e tij në mbrojtje të rendit dhe ligjit. Të nderuar qytetarë, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve shtetërorë ju vazhdoni ta respektoni atë sepse për njerëz të tillë ka nevojë Kosova, të pakompromis kundër të keqes”, ka shtuar deputeti i LDK-së.
Hoxha: Kurti duhet t’u kërkojë falje familjeve të të pagjeturve për dy mashtrime që i ka bërë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se e ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të martën në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Deputetja e PDK-së ka thënë se do të donte që kryeministri Kurti të ishte i pranishëm në seancën e Kuvendit që t’u kërkonte falje familjarëve të të pagjeturve për dy mashtrimet që pretendon se i ka bërë.
"Besoj të gjithë që vini në seancë kaloni në korridorin që sjell rrëfime për të pagjeturit. Uroj që i keni lexuar fragmentet e shkurtra në mure për ndjenjën e familjarëve. Më 2 maj, në Bruksel rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është baraspeshuar, duke e lënë në ndërgjegjen e kryeministrit i cili e ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve. Sot kam zgjedhur të jem zëri i tyre dhe uroj këto minuta të na mjaftojnë për të dëgjuar diçka për dhimbjen dhe pritjen mbi 20-vjeçare të familjarëve. Sot do të doja kryeministri të ishte këtu dhe t’u kërkonte falje të pagjeturve”, ka thënë ajo në seancën e Kuvendit.
Hoxha më pas lëshoi këngën “Për ata që (s')janë”, e cila u kushtohet të zhdukurve nga lufta e fundit e që këndohet nga vetë ajo.
Kurti dhe Vuçiqi miratuan të martën Deklaratën për Personat e Zhdukur, ku përfshihet termi “të zhdukurit me forcë”. Deklarata është kritikuar gjerësisht nga opozita.
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite ndryshimi i Ligjit për kategoritë e dala nga lufta
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në një seancë të re plenare.
Në rend ditë përves deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.
Gjithashtu deputetët në parim pritet të shqyrtojnë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes e Projektligjin për tekstet shkollore.
Seanca me 11 pika të rendit të ditës do të nisë në orën 10:00.
Ky është rendi i ditës për seancën e sotme.
Rendi i ditës
Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,
Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Festa e shqipeve në Londër për 28 Nëntor, ka edhe të arrestuar

PSD: S’do lëmë gurë pa lëvizur që vizita e Trendafilovës të mos kalojë lehtë

Murati: Shqiptarët kanë qenë përherë lojtarë të rëndësishëm në Ballkan

Kurti: Prekazi me Epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare

Shtrohet nevoja për pajisje të rënda e armatim të sofistikuar për FSK-në

Specialja ua ndalon Prokurorisë e mbrojtjes qasjen te dëshmitarët e njëra-tjetrës

NATO-ja e BE-ja me mision për të parandaluar konfliktet në Ballkan

Bashkëpunimi tregtar mes Kosovës e Shqipërisë vlerësohet ende i zbehtë

Gjermania do të dërgojë ushtarë shtesë në Kosovë, Baerbock: Paqja në Ballkan varet nga një fije

Buxhovi: Pavarësisht ndarjes nga Shqipëria, Kosova e shqiptarët u mbijetuan planeve ogure të fqinjëve

Borrell: Do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet në veri të Kosovës
