Arbëri

Palokaj: Do të ishte mrekulli nëse sot arrihet pajtimi rreth draftit

Bashkimi Evropian të martën pret që pala kosovare dhe ajo serbe të miratojnë deklaratën për të pagjeturit si dhe të paraqitet drafti i parë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë korrespodenti i KOHËS, Augustin Palokaj.

Në lidhje direkte nga Brukseli, Palokaj ka thënë se përveç këtyre dy pikave do të shfrytëzohet momenti që të diskutohen edhe çështje të tjera.

“Këto dy pika janë temat kryesore në rend dite sipas BE-së, por gjithsesi do të shfrytëzohet rasti të diskutohen edhe çështje të tjera aktuale, situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe zbatimin e Marrëveshjes së arritur në Bruksel më 27 shkurt e më pas Aneksit për implementim që ishte pajtuar në Ohër. Serbia ka thënë përmes presidentit të saj se nuk do të tejkalojë vijat e saj të kuqe dhe kemi pa që nuk i ka përfshirë atë obligimin e vet për të mos kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare duke votuar kundër Kosovës në Këshillin e Evropës. Gjithsesi, edhe nëse nuk pritet pajtim rreth draftit të Asociacionit, pritet që së paku të bëhet hapi i parë e ai është prezantimi i këtij drafti sot në takim”, ka thënë ai.

Palokaj nuk pret që sot të ketë pajtim të palëve për draftin e Asociacionit. Arritjen e pajtimit për të ai e quan mrekulli.

“Nuk pres pajtim rreth draftit, do të ishte mrekulli sikur të ndodhte pajtim rreth draftit duke e ditur se sa e komplikuar është puna rreth përgjegjësive së pari që mund të ketë apo të mos ketë ai Asociacion dhe komplikimeve për grupin menaxhues”.

Palokaj ka theksuar se është situatë e pazakontë pasi, sipas tij, në draft ka ndikuar më shumë presidenti serb se kryeministri i Kosovës – draft i cili është krijuar nga grupi menaxhues i caktuar nga Qeveria e Kosovës.

“Sot draftin që do të paraqitet e ka përpiluar grupi menaxhues dhe në grup janë përfaqësues të serbëve nga veriu të cilët kanë dalë nga institucionet e Kosovës dhe kemi situatë shumë të pazakontë ku në emër të një grupi menaxhues që e cakton Qeveria e Kosovës do të prezantohet një draft që më shumë duket se ka pasur ndikim në krijimin e tij presidenti Aleksandër Vuçiq sesa kryeministri Kurti. Sot presim të nisë procesi gjatë të cilit do sqarohen shumë gjëra dhe të synohet të arrihet një marrëveshje apo pajtim për një tekst që do të ishte i pranueshëm për të gjithë”.