Arbëri

Kurti kërkon mbështetje nga Franca, Italia e Gjermania

Kryeministri Albin Kurti ka takuar ambasadorin Francës, Olivier Guerot, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin e radhës në Bruksel i cili do të mbahet më 2 maj.

"Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, Kurti ritheksoi përkushtimin për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha se pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara. Ndërkohë theksoi sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës", thuhet në komunikatë.

Kurti u kërkoi ambasadorëve që tri shtetet të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën deri në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë.