Arbëri

Von Cramon: Bojkoti i zgjedhjeve dhe frikësimet të orkestruara nga Beogradi të papranueshme

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se zgjedhjet e të dielës në katër komunat në veri të Kosovës u mbajtën në përputhje me ligjet e Kosovës.

Ajo shprehu keqardhje që Lista Serbe refuzoi pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa ka dënuar fuqishëm kërcënimet e frikësimet që iu bënë kandidatëve, por edhe votuesve.

“Pas një shtyrje të zgjedhjeve, bojkoti që është orkestruar nga Qeveria e Serbisë në Beograd, si dhe frikësimet e liderëve opozitarë serbë, janë të papranueshme dhe kundër standardeve demokratike. Retorika që vjen nga instancat më të larta në Serbi në drejtim të zyrtarëve të Kosovës është për keqardhje dhe duhet të ndalojë. Vakumi aktual institucional dhe i sigurisë duhet të zgjidhet duke u angazhuar me komunitetin lokal nëpër veri të Kosovës”, thuhet në letrën e Von Cramonit.

Ajo ka thënë se duhet të nisë kthimi i serbëve të Kosovës në institucione dhe se Qeveria e Kosovës duhet të mundësojë kthimin. Po ashtu tha se duhet finalizohet themelimi i Asociacionit.

“Duhet të finalizohet puna në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe sa më shpejtë të jetë e mundur. BE-ja do të punojë afër me gjitha palët për ta rikthyer sigurinë dhe jetën normale për gjithë qytetarët në këto komuna. Puna e EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës u dëshmua se është e domosdoshme dhe i uroj ngrohtësisht për përkushtimin e tyre”, ka shkruar Von Cramon.

Ndaj Von Cramonit reagoi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Vërtetë e pabesueshme. Po flisni për vlera demokratike!? Pasi organizuat zgjedhje në kontejnerë, nën mbikëqyrjen e forcave të armatosura, duke njohur rezultatet e votave të më pak se 2 për qind të votuesve të regjistruar. Duhet të keni turp. Fakti se nuk keni, është problem në vete”, shkroi Bërnabiq në Twitter.

 

Image