Arbëri

Bislimi përsërit përkushtimin e Kosovës për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit në takim me Hovenierin

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka përsëritur përkushtimin që Kosova ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit dhe mbetet konstruktive në këtë proces, në një takim të enjten me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

“Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit. Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar, aktive dhe konstruktive në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Hovenieri, sipas njoftimit, e uroi Bislimin për finalizimin dhe arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovës, duke e quajtur ditën e djeshme të suksesshme.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin dhe theksoi se Qeveria do të nisë një fushatë informimi për qytetarët si dhe do të forcojë mekanizmat koordinues institucionalë e do të bashkëpunojnë edhe me partnerët.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri strategjik kryesor i Republikës së Kosovës. Thellimi i marrëdhënieve mes dy shteteve tona është objektiv primar dhe vizita e zëvendëskryeministrit Bislimi me ministrin Murati javën e kaluar në SHBA e riafirmoi dhe synimin për të vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes nesh”, thuhet në njoftim.