Arbëri

KPK-ja reagon ndaj deklaratave të deputetëve të pushtetit për kryeprokurorin Isufaj

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas deklaratave që janë bërë nga zyrtarë të lartë dhe deputetë të partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

Një numër i deputetëve të mazhorancës kanë kritikuar Isufajn, pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

KPK-ja e ka vlerësuar të papranueshme gjuhën e përdorur ndaj Isufajt.

“Këshilli Prokurorial vlerëson se, deklaratat e tilla, siç ishte ishin ato të djeshmet, janë në kundërshtim të plotë me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje flagrante dhe të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht të institucionit të Prokurorit të Shtetit, ngaqë puna dhe angazhimi i të gjithave, përfshirë edhe PSRK-në , burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike, grupet e interesit dhe individët e caktuar. Me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovë, thekson se qëndron plotësisht prapa punës së mirëfilltë dhe shumë profesionale të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe prapa punës dhe angazhimit të prokurorëve të PSRK-së dhe në asnjë rast nuk do të tolerojë denigrimet dhe atakimet qëllimkëqija ndaj angazhimeve dhe përkushtimit të bartësve të sistemit prokurorial”, thuhet në reagimin e KPK-së.