Arbëri

Miftaraj fton Kurtin dhe VV-në të distancohen nga drejtori i KEK-ut

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të reagojnë dhe të distancohen ndaj drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, që u arrestua të mërkurën për disa vepra penale.

Ai shkroi në Facebook se reagimi i kryeministrit Kurti është obligativ, derisa tha se nëse kjo s’ndodh, programi qeverisës kthehet s’ka vlerë.

“Edhe pse është fazë e hershme e procedurës penale në rastin e drejtorit të KEK dhe pa paragjykuar fajësinë/pafajësinë e të njëjtit, është fakt se i njëjti ka dal nga Akademia e Lëvizjes Vetëvendosje. Zotëria në fjalë dyshohet për vepra penale korruptive me vlerë miliona euro. Aktiviteti i tij politik në VV është i gjatë. Në kuptim të kësaj, një reagim dhe distancim nga LVV dhe kryeministri Kurti është detyrë, është obligim. Nëse kjo nuk ndodh, programi i kësaj qeverie drejtësi dhe punësim kthehet në farsë ose pamflet politik pa pikë vlere”, shkroi drejtori i IKD-së.

Drejtori i KEK-ut u arrestua për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.