Gzim Shala nga IKD ka thënë se Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2022 nuk ka arritur që të përfundojë lëndë aq sa ka pranuar, gjë që më pas është reflektuar ashtu që numri i lëndëve të pazgjidhura në fillim të vitit 2022 ka qenë më i lartë sesa në vitin paraprak.
Ai ka thënë se numri i lëndëve të pazgjidhura brenda sistemit prokurorial është ngritur pavarësisht se Prokurori i Shtetit i ka përcaktuar lëndët e korrupsionit si lëndë prioritare.
“Gjatë 2022 janë ngritur gjithsej 90 aktakuza, ndaj 98 personave për vepra penale korruptive. Numrin më të madh të ngritjes së aktakuzave e mban Prokuroria Speciale me 25 persona të akuzuar ndërsa numrin më të ulët e mban Prokuroria Themelore në Ferizaj, që ka akuzuar vetëm tre persona”, ka thënë ai.
Shala ka shtuar se lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë e fokusuar nga profili i lartë, me vetëm tetë persona të profilit të lartë që janë akuzuar për korrupsion. Vetëm njëri prej tyre është akuzuar sa ka qenë zyrtar, ka theksuar ai, dhe kjo lë shije të keqe te publiku se prokurori po akuzon vetëm personat në kohën kur ata po e humbin fuqinë e tyre.
“Nga 98 persona të cilët janë të akuzuar për vepra penale korruptive, vetëm 8 persona të cilët janë të profilit të lartë, derisa pjesa tjetër prej 90 personave nuk ju takon profilit të lartë. Për këtë arsye gjatë vitit 2022 nuk mund të themi se lufta e prokurorit të shtetit në drejtim të korrupsionit ka qenë e fokusuar në drejtim të profilit të lartë korruptiv”.
Shala ka treguar për dëmin në vlerë me ngritjen e aktakuzave.
“Dëmi për të cilat Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë nga të gjitha aktakuzat dominon vlera në mes 10 mijë dhe 50 mijë euro. Mirëpo, përtej kësaj problematika qëndron se në aktakuzat në gjithsej 22 personave, Prokurori i Shtetit nuk e ka specifikuar fare dëmin që pretendohet të jetë kryer nga ato vepra penale”.