Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur të martën se Kosova do të futet në Bursën e Energjisë (ALPEX) në muajin shtator.
“Presim që gjatë muajit shtator të fillojmë ankandin e parë që do të tregtohet përmes ALPEX-it në zonën tregtare të Kosovës dhe njëkohësisht edhe bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri”, deklaroi Rizvanolli gjatë ceremonisë për hapjen e ankandit të parë të tregut që u zhvillua në Tiranë.
Duke folur për ndikimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ajo tha se sektori i energjisë ka qenë më i prekuri.
“Sektori i Energjisë ishte më i prekuri duke rritur barrën për qeveritë dhe qytetarët tanë. Në këtë kontekst është bërë më e qartë se kurrë se sa e rëndësishme është të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe vendeve me të cilat ndajmë vlerat dhe qëllimet. Qasja jonë për të adresuar krizën, si qeveri e Kosovës është fokusuar në tre drejtime, diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e kursimit dhe eficencës, dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe integrimin e tregut dhe një hap i rëndësishëm në këtë drejtim po bëhet sot”, ka thënë Rizvanolli.
Sipas saj, Kosova dhe Shqipëria rritën bashkëpunimin ndërmjet tyre duke bërë që të dy vendet të mund të mbrohen nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike duke u kursyer rreth 50 milionë euro qytetarëve të Kosovës dhe po aq edhe atyre të Shqipërisë.
Rizvanolli theksoi se tregu i përbashkët krijon mundësi të reja biznesi. Kjo, vuri në dukje ajo, do të rrisë përfitimet dhe standardet e shërbimit.
“Në periudhë afatgjatë objektiv i qeverisë së Kosovës është garantimi i sigurimit të furnizimit dhe mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve nga çmimet e larta, deri sa bëjmë një tranzicion drejt energjisë së pastër. Dy qeveritë tona ndajnë të njëjtin objektiv mbi modelin e synuar të energjisë elektrike ndaj qëndrojmë fuqishëm pas zotimit tonë për të liberalizuar e integruar tregjet tona të energjisë elektrike. Tani përmes ALPEX jemi një hap më para arritjes së këtij synimi. ALPEX do të shërbejë si operator për menaxhimin e tregjeve, market ky që zbaton praktikat më të mira evropiane”, ka thënë ajo. /ATSH