Avokati Florim Shefqeti, ka thënë se Ligji për Paga, i cili të premten e kaluar është dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit, është jokushtetues.
Ai në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se përveç shkeljes së të drejtave të njeriut, ai Ligj shkel edhe të drejtën në pronë dhe është diskriminues.
Shefqeti i cili është përfaqësues i rreth 20 punëtorëve të Aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, të cilët janë ankuar për Ligjin për Paga, ka thënë se ata nuk janë njoftuar për Ligjin deri në ekzekutimin e pagesave bazuar në të e as nuk janë konsultuar gjatë procesit të draftimit të tij.
Sipas tij me këtë Ligj pozitave të njëjta u është caktuar koeficient i ndryshëm.
“Sipas shtojcës 14 të ligjit, është bërë vlerësimi i Agjencive të pavarura, në të cilën për shembull pozicioni i njëjtë i nivelit hierarkik, flas për punëtorët e Aeroportit të Prishtinës, ka përcaktuar koeficientin për pozita të njëjta të nivelit hierarkik, për disa nivelin 14, për disa nivelin 11 e paradoksale që për disa niveli është 5.75, janë e njëjta hierarki”, është shprehur Shefqeti.
Ai ka thënë se besojnë që janë disa pika në të cilat Ligjit për paga nuk do ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese.
Ka përmendur në këtë rast uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në asnjë rrethanë nuk do të mund të kalojë, sepse Kushtetuesja më herët në Qeverinë Haradinaj ka nxjerr një vendim në të cilin ka thënë se nuk mund të bëhet ulja e pagave të gjyqtarëve”, është shprehur Shefqeti.
Ai ka thënë se jokushtetues është edhe përcaktimi i vlerës së koeficientit të pagës çdo vit.
Sipas tij Ligji është punuar me shumë nguti dhe për draftimin e tij nuk janë respektuar procedurat e konsultimit publik.
Ai ka thënë se përkundër faktit që Avokati i Popullit nuk ka kërkuar që për Ligjin të vendoset masa e përkohshme, Kushtetuesja do të mund të vendosë vetë një masë të tillë.
Shefqeti: Këshilltarët politikë kanë koeficient më të lartë se gjyqtarët e prokurorët
Shefqeti ka folur edhe për vlerën e koeficientit për këshilltarët politikë, duke thënë se ajo është më e lartë sesa e prokurorëve në departamente të caktuara. Sipas tij kjo demotivon personat që punojnë në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial.
“Këshilltari i lartë politik sipas shtojcës 13.1 e ka koeficientit 13.1 ndërsa prokurorët në departament për krime të renda dhe në departament për të mitur e kanë koeficientin 12.8, pra po flasim për një demotivim të sistemit gjyqësor e prokurorial, nëse ne po besojmë që Qeveria ka për qëllim luftimin e korrupsionit, luftimi i korrupsionit me ulje të pagave dhe me kategorizim të tillë të pagave nuk besojmë se bëhet”, është shprehur Shefqeti.
Ai ka thënë se ky ligj duhet të rishkruhet pas konsultimeve me të gjitha grupet.
Sipas Shefqetit ky Ligj nuk paraqet reformë në administratë, por paraqet një problematikë në funksionimin praktik.