Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), nuk ka arritur të identifikojë neglizhencë në kryerjen e punës, të zyrtarëve policorë që kanë qenë të përfshirë në hetimin e rastit ku dyshohet se një vajzë 11-vjeçare është dhunuar dhe shfrytëzuar.
Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se me autorizim të prokurorit kishin zhvilluar një hetim lidhur me këtë rast, por se përgjegjësi e neglizhencë të zyrtarëve policorë nuk kanë gjetur.
“Ne kemi zhvilluar një hetim, me autorizim të prokurorit kemi zhvilluar një hetim preliminar, kemi marr informacionet dhe të gjitha shkresat e rasteve, e kemi bërë një analizë për mënyrën se si i ka zhvilluar hetimet Policia e Kosovës në këtë rast, e kemi dërguar raportin në Prokurorinë e Shtetit, nuk ka ndonjë masë konkrete për ndonjë zyrtarë sepse deri në këtë kohë nuk kemi arritur që të identifikojmë përgjegjësinë apo neglizhencën e ndonjë zyrtari në moskryerjen e detyrës”, ka theksuar Hodaj, duke thënë se nuk kanë ende ndonjë kërkesë nga Prokuroria për ndonjë raport shtesë dhe se i takon asaj që të vlerësojë neglizhencën eventuale të çfarëdo hallke.
Në janar të vitit të kaluar Gjykata e Apelit ia ka kthyer në rivendosje Themelores vendimin për hedhje poshtë të aktakuzave për rastin e trafikimit dhe të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, ku të akuzuar janë pesë persona. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konstatuar më 13 janar se dy aktakuzat e Prokurorisë Themelore të Prishtinës ishin jo të plota, derisa Apeli vendosi në favor të ankesës së Prokurorisë.
Verën e 2022-s Kosova u trondit me rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Viktima dyshohet se më 27 gusht u trafikua e u keqpërdor për pornografi. Në bazë të përshkrimit të aktakuzës, E. R. e ka dhunuar e më pas e ka trafikuar duke i ofruar shërbimet seksuale të viktimës te persona të tjerë. Sipas këtij përshkrimi, Sh. K. dyshohet se ka pranuar shërbimet seksuale të viktimës dhe se e ka dhunuar atë.
Ndaj tre të akuzuarve të mitur rëndojnë akuzat për dhunim dhe keqpërdorim të fëmijëve në pornografi, derisa një prej tyre akuzohet edhe për trafikim.
Lidhur me dhunimin e trafikimin e 11-vjeçares është duke u zhvilluar edhe një rast tjetër penal, ku të akuzuar janë 8 persona të tjerë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.