Profesori Bekim Bejta i ka kthyer përgjigje KOHËS të premten, në pyetjet që ia ka dërguar një ditë më herët, pas aksionit që Lëvizja Studentore “Studim Kritikë Veprim” zhvilloi para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar largimin e tij.
KOHA ka raportuar në disa ditë për denoncimin e disa studentëve për kërcënim, shantazh e dhunë psikologjike që profesori në Fakultetin e Filologjisë ua shkakton.
Më poshtë gjeni përgjigjen e tij të plotë, pa ndërhyrje, siç e ka dërguar në tri emaile njëri pas tjetrit:
1.
Po i manipuloni të gjithat me AI deepfake. Po bëni montazhe për të më dëmtuar. E di saktë kush po i organizon të gjitha këto. Madje tash haptazi edhe po shihet që është një iniciativë e motivuar politikisht. Aq shumë keni njollos dhe intriguar, saqë tash nuk ka rendësi se çka ndodh. Jeta është e gjatë. Kismet, të gjithat do t'ju kthehen juve që keni komplotuar; madje shumë keq. Kushdo që më ka dëmtuar deri sot, është shkatërruar rëndë. Me siguri, ju tingëllon si ndonjë rrëfenjë trilli, por do të shihen të gjithat. Ky vend pune — falënderoj Zotin — nuk është se më ndihmon shumë, përkundrazi, vetëm telashe shkakton. Kam mundësi të shkoj si në shtete perëndimore, ashtu edhe në vendet më të bukura dhe më të pasura, si në Doha, Kuvajt, Katar etj. Të ardhurat që m'i ofrojnë janë shumë të leverdishme (sepse ju po mendoni se dikush ka mbetur për ofendimin intelektual që bëhet këtu). Jam kthyer nga Franca për të kontribuar me shkencë. Por intrigat e spiunëve primitivë të Serbisë më kanë shkaktuar bezdi.
Mijëra studente kanë dëshmuar me qindra herë në favor timin. Janë dëshmitë e arkivuara në rektorat, por ju nuk i merrni parasysh, sepse jeni të motivuar (së bashku me SKV, e cila është një organizatë politike në fakt, si çdo organizatë e asaj natyre në 23 vitet e fundit).
Aty në Fakultetin Filologjik, në katedrën e anglishtes, ka shumë krime dhe parregullsi, por ju nuk merreni me to, sepse nuk ju ka paguar askush për ndonjë mision të tillë. Të shohim se çka po ndodh, pastaj do të keni shumë dëshmi dhe materiale të ndryshme lidhur me personat që më kanë dëmtuar kësisoj.
Ky email që po e dërgoj është i kotë, për sa i përket qasjes suaj, sepse nuk e përfillni. Unë nuk ju blej për të intriguar, por Krijuesi i Gjithësisë do t'ju shkatërrojë së bashku me kliken primitive që i ka organizuar këto krime.
Mos e keni ves, unë do të shkoj së shpejti në një vend tjetër. Të shohim sesi do ta rregulloni ju Kosovën, në mungesë të kosovarëve që kanë punuar me zell. Në ndërkohë, ashtu si në 53 vitet e fundit, do të jetoj kismet një jetë të mrekullueshme dhe me kënaqësitë më të ëndshme. Kënaqësi këto, që kriminelët nuk mund t'i konceptojnë, edhe pse kjo botë është territori i tyre. Paramendoni botën e amshimit, ku do të jenë të rrënuar pafundësisht.
JENI DUKE I MANIPULAR VIDEOT, INCIZIMET ME ARTIFICIAL INTELLIGENCE, ME DEEPFAKE. Kur të vijë dita, do ta pësojnë kriminelët!
NJE MORI DESHMISH KONKRETE DO TË DALIN NË SHESH SË SHPEJTI! SË PARI, TË SHOHIM SE ÇKA PO VENDOSNI JU, PASTAJ AJO QË DO TË DALË NË SHESH ËSHTË SHUMË MË E RENDË SE "PRONTO" ETJ.
2.
Siç me kanë thënë, dëshmitë janë në vend të sigurt në Finlandë. Nuk jam marrë me atë çështje, nuk e di as kush janë ata, por janë ne dispozicion informues në rast nevoje.
3.
Si halucinacion duket ky komplot.
Deputeti shan kryeministrin në kuvend para një populli, dhe asgjë (nuk po i gjykoj, nuk është punë për mua). Mirëpo diskriminimi trajtësor dëshmon organizimin dashakeq.
Ai/ata që protestuakan, bëjnë publikisht gjëra shumë të pahijshme, dhe asgjë.
E di që këto nuk i merrni parasysh, por po i them që të jenë dëshmi për Ditë të Gjykimit.
Këtu gjeni të gjitha raportimet e deritashme për rastin e profesorit Bejta: