Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar nga Qeveria dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë që t’i lirojë nga pagesa e rrymës kategoritë e dala nga lufta, veçanërisht veteranët dhe invalidët.
Musliu ka thënë se shtrenjtimi i rrymës është i papërballueshëm për qytetarët, ndërsa nga ana tjetër, ka thënë ajo, ai nuk i prek qytetarët e veriut të privilegjuar nga Qeveria.
“Bordi i ZRRE-së ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ky shtrenjtim është i papërballueshëm për qytetarët. Ky shtrenjtim nuk i prek qytetarët e veriut të cilët po privilegjohen nga kjo Qeveri. Sot kam një kërkesë tjetër për një kategori të ndjeshme siç janë kategoritë e dala nga lufta që kjo Qeveri i ka lënë pas dore. Kërkoj nga ZRRE t’i largojë nga faturimi këto familje. Kërkoj nga institucionet shtetërore që të nxjerrin një vendim që të lirohen nga pagesa kategoritë e dala nga lufta me theks të veçantë veteranët dhe invalidët”, ka thënë Musliu në Kuvendin e Kosovës.
Nga 1 prilli në fuqi kanë hyrë tarifat e reja. ZRRE-ja ka vendosur që energjia elektrike të shtrenjtohet për 15.4 për qind.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.