Arbëri

Profesori Bejta kërcënoi edhe Rektoratin e Këshillin e Etikës, s’u ndëshkua

Profesori në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, përveç studentëve, bëhet e ditur se ka kërcënuar edhe Rektoratin dhe Këshillin e Etikës të UP-së. Për këto sjellje, Këshilli i Etikës nuk mori masë ndëshkimore. E në organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, i kanë akuzuar anëtarët e Këshillit të Etikës për mungesë të guximit në ndëshkimin e profesorëve

Përveç studentëve, cak i kërcënimeve e shantazheve të profesorit në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, janë edhe Rektorati e anëtarët e Këshillit të Etikës. Sipas Këshillit të Etikës, profesori Bejta ofendoi e kanosi menaxhmentin e UP-së, përmes një letre të dërguar në muajin shkurt, gjatë kohës që ky organ po e shqyrtonte ankesën e një studenteje. Këshilli nuk rekomandoi masë ndëshkimore ndaj tij, në vendimin përfundimtar që e mori më 31 mars.

“KE më datë 02.02.2023 ka pranuar një letër nga Prof. Bekim Bejta, i cili është njëherë përshkruan situata të përsëritura nga deklarata e tij fillestare, por kësaj radhe, prof. Bejta me këtë deklaratë del krejt jashtë temës në fjalë duke përdorur edhe fjalor shumë ofendues besa edhe kërcënues për anëtarët e Rektoratit dhe të Këshillit Etikës”, shkruan në vendimin e Këshillit të Etikës, te rubrika “Paraqitja, vlerësimi dhe kualifikimi i gjetjeve faktike”. “Duke quajtur që ju që punoni aty keni prejardhje të llojllojshme. Andaj, ai të gjitha këto i quan trillime e intriga, e shumë e shumë gjëra të tjera për çka nuk duhet të ishin në fjalorin e një pedagogut e aq më shumë një profesori me renome ndërkombëtare siç e quan ai veten e tij”, shkruan më tej në vendim.

Këshilli në këtë vendim, ka kërkuar që rektori i UP-së, së bashku me stafin menaxherial, të diskutojë me profesor Bejta në atmosferë akademike dhe profesionale, me qëllim që shqetësimet e tilla të tejkalohen në të ardhmen duke u respektuar liria akademike, sjella etike dhe profesionale dhe ruajtja e qetësisë dhe rendit akademik në ambientet e Universitetit.

E përmes një aksioni simbolik, të martën, para Rektoratit, “Lëvizja Feministe Studentore”, ka kërkuar shkarkimin e profesorit Bejta.

“Sugjerimi i Këshillit të Etikës për të biseduar me profesorin Bekim Bejta, në një ‘atmosferë akademike dhe profesionale’ është një reagim i pashpjegueshëm dhe i pakuptueshëm nga një organ që ka për qëllim mbrojtjen e integritetit akademik dhe etik të universitetit”, është thënë në reagimin e tyre.

Në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, që kanë denoncuar profesorët për plagjiaturë, kanë thënë se anëtarëve të Këshillit të Etikës u mungon guximi që t’i ndëshkojnë profesorët.

Dibran Hoxha, hulumtues në ORCA, ka thënë se mosndëshkimi proporcional i profesorit Bejta, dekurajon studentët që t’i raportojnë parregullsitë në Universitet.

“Pra një student i cili ballafaqohet me një shkelje në Universitet, e adreson tek organi përgjegjës, organi mundet me zvarritë, pastaj ju e dini që edhe pasi të marrë vendimin e propozon masën Këshilli i Etikës, ai duhet të aprovohet në Senat, procedurë pas procedure, pra zvarritja. E dyta, është që Këshilli i Etikës si organ me këtë përbërje, nuk e ka guximin me marrë vendime dhe dënime proporcionale krahas shkeljeve”, ka thënë ai.

Për sjelljet e profesorit Bejta është e njoftuar hallka menaxhuese e UP-së. Por, disa nga studentët kanë treguar se ankesat e tyre nuk janë trajtuar.

Një student në kushte anonimiteti, ka thënë se e denoncoi para 12 vjetëve profesorin e departamentit të Gjuhës Angleze, Bekim Bejta, për kërcënim.

“Unë kam bërë edhe ankesë me shkrim në dekanat në vitin 2011, por vetëm një nga to është e protokolluar, pasi që aso kohe nuk e kam ditur as kuptimin/rëndësinë e protokollimit. Data e ankesës së dytë, e protokolluar,. Aty i referohem edhe ankesës së parë për kërcënim”, ka treguar ai. “Këtë mund ta hulumtoni në fakultet dhe besoj ju jep një dëshmi për mospunën e udhëheqësisë së fakultetit në këtë drejtim. Edhe pse dekania aktuale na ka inkurajuar gjatë ligjëratave të bëjmë ankesë me shkrim, nuk ka pasur kurrë ndonjë masë në këtë drejtim. Me fjalë tjera, e kanë institucionalizuar padrejtësinë ndaj studentëve”, ka treguar tutje ai.

Një tjetër studente tregon se e ka denoncuar më 2018 profesorin në Këshill të Etikës, duke e dokumentuar kërcënimin me incizim, por siç ka thënë ajo, pas një procesi të stërzgjatur, profesori Bejta mori vërejtje me shkrim.

“Në këtë orë, unë sipas profesorit, i kam penguar, sepse kam qëndruar serioze dhe nuk kam qeshur me këto histori të tij, më drejtohet dhe më thotë ‘kriminel, shejton, thirre babën se me ty nuk merrna se je femen’", ka treguar ajo.

Tash e një javë, në dekanatin e Fakultetit nuk treguan numrin e ankesave që kanë pranuar për profesorin Bejta. E, as nuk i komentuan akuzat që ish-studentët i kanë drejtuar ndaj dekanatit për neglizhim të denoncimeve të tyre.

E në Rektorat, një javë pasi i kanë pranuar pyetjet nga KOHA, kanë thënë se janë duke i mbledhur të dhënat për numrin e ankesave ndaj profesorit.

“Jemi duke mbledhur të dhënat dhe të njëjtat do t’i keni në dispozicion”, është thënë në përgjigjen e rektorit Qerim Qerimi, të dërguar gjatë ditës së martë.

Për rastin nuk ka pasur reagim nga Ministria e Arsimit, ani se një nga studentet ka thënë se e ka njoftuar këtë institucion për problemet me profesorin Bekim Bejta.

Në audioincizimet e publikuara nga KOHA, dëgjohet përdorimi i gjuhës denigruese nga profesori Bekim Bejta, epitetet që u jep studenteve si dhe një ofertë për kalimin e provimit.

“Ajo u nis për me bë të madhe, por vallai na shqiptarë jena, për besë ne pastaj vazhdojmë me kanun. Nuk jam t’u bo hajgare. S’po flas unë për të, se ajo është femër, e me femër është problem, a po më kupton! Por ajo ka meshkuj, e unë shkojë me kanun, s’po bëjë hajgare”, ka thënë ai para studentëve, që pohohet se është incizuar në periudhën e shtatorit të vitit të shkuar. “Të familjes tem, krejt çka i kam të afërt, krejt kanë kerre, krejt kanë banesa, krejt kanë shtëpia, krejt kanë vende të punës, me thënë që po e lë dikë keq, jo”, vazhdon ai duke aluduar se nuk ka asgjë për të humbur në qoftë se vendosë të veprojë përmes rregullave tradicionale të parapara në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Në audioincizim profesori i lëndës “Gjuhësia në studimin e letërsisë” dëgjohet tek u drejtohet studenteve me shprehjet “Majmunkë” dhe “magjitore e Serbisë”.

“Për besë ti nuk e meriton unë me qenë xhentëlmen, por isha xhentëlmen, por po shpresoj që për ty, tani e kupton ‘shkinën’ ose ‘rrencin””, dëgjohet duke i thënë një studentes.

Për këto, ai është dënuar një herë në korrik të vitit të shkuar nga Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës, me mohim të përfshirjes në mentorim.

“Këshilli i Etikës konsideron se profesor Bejta ka pasur sjelle joetike, jokolegiale dhe joakademike ndaj palës denoncuese dhe atë në vazhdimësi. Këshilli është i bindur në objektivitetin e dëshmisë me shkrim dhe të paraqitura në seancë dëgjimore nga ana e palës denoncuese. Këshilli i Etikës është i bindur se prof. Bejta me sjellje të veta kalon dukshëm suazat dhe kornizat e sjelljes liberale të lirisë akademike”, është thënë në vendimin e Këshillit.

KOHA para se ta publikonte denoncimin e studentes, javën e kaluar ka kontaktuar profesorin Bejta. Ai i ka mohuar akuzat, duke thënë se ka qenë i provokuar nga studentet.

“Ju nëse e merrni parasysh mllefin e 3 apo 4 studenteve, duke shpërfillur dëshmitë e qindra studentëve që kundërshtojnë ata 3 apo 4, është diktaturë fashiste. Duhen marrë parasysh të gjitha rrethanat jo ndonjë fragment të manipuluar asisoj që të dëmtohem”, ka thënë ai.

Nëpërmjet e-mailit, ai përdori edhe gjuhë kërcënuese.

“150.000 euro janë në dispozicion kundër të gjithëve që po më shkaktojnë probleme... Incizimi (plus montazhi) është vepër penale. Ta keni parasysh. Ju ndjek ligjërisht max tërë jetën në rast eventual”, është thënë në njërin nga e-mail e tij drejtuar KOHËS.

Për rastin është njoftuar edhe policia dhe Prokuroria. Kjo e fundit ka nisur hetimet në fund të viti të shkuar, ndonëse ky institucion ashtu si edhe Policia fillimisht kishin konstatuan se s’ka elemente të veprës penale nga profesori Bekim Bejta.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Aktualisht, ndaj kësaj çështjeje janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga prokurori i rastit”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë për KOHËN.

Siç merr vesh KOHA, Prokuroria për këtë hetim ka ndërruar prokurorin.