Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës t’i bashkohen të dielën “Marshit për drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (UÇK), që siç ka thënë ai, po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Krasniqi, mbrëmë në emisionin “Konfront” në KTV, ka theksuar se PDK-ja e ka përkrahur dhe është mobilizuar për këtë marsh solidarizues, që organizohet nga platforma “Liria ka emër”.
“Unë pa asnjë hezitim dhe asnjë rezervë e kam mbështetur menjëherë si Memli dhe si parti Demokratike të Kosovës, organizimin e marshit solidarizues, i cili në thelbin e vet e ka vetëm një kërkesë, drejtësinë. Nuk është marsh që proteston kundër Gjykatës në kuptimin e ekzistencës së saj. Është një marsh për t’u solidarizuar me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në mënyrë të padrejtë për dy vite e gjysmë janë mbajtur në paraburgim. Tash po fillon gjykimi dhe unë besoj që një marsh i qytetarëve, i cili i tejkalon kufijtë politikë, është i domosdoshëm për t’iu treguar edhe atyre që vërtetë besojnë në pastërtinë e luftës së UÇK-së, në pafajësinë e tyre dhe jemi me ta moralisht së paku”, ka theksuar kreu i PDK-së.
Krasniqi ka deklaruar se PDK-ja është mobilizuar me mbështetësit dhe anëtarët e saj nga e tërë Kosova për të marrë pjesë të dielën në “Marshin për Drejtësi”.
“Është një solidaritet i domosdoshëm dhe shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës. Unë do të jem aty, Partia Demokratike e Kosovës është e mobilizuar anë e mbanë Kosovës, me mbështetësit tanë, me anëtarët tanë, që të vijnë në Prishtinë të dielën dhe të dalin të gjithë bashkërisht në këtë marsh që fillon në ora 14:00 te sheshi ‘Zahir Pajaziti’ për të shkuar tutje deri të sheshi ‘Skenderbeu’, ka theksuar Krasniqi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.