Arbëri

BE-ja: Pasoja, nëse s’ka zbatim të marrëveshjes

 

Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se nuk do të ketë zgjidhje tjetër për Kosovën dhe Serbinë përveç zbatimit të marrëveshjeve për të cilat janë pajtuar në takimin e Ohrit më 18 mars. Kjo është theksuar pas kërkesës së KOHËS për pozicionin që ka mbajtur BE-ja rreth ofertës së kryeministrit Kurti për ta propozuar një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë folur në terma të përgjithshme për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes, në kërkesën e “KOHËS” për sqarime rreth qëndrimit të tyre për ofertën e kryeministrit Kurti rreth Asociacionit. Shefi i ekzekutivit ka treguar për propozimin e bërë në Ohër që palëve t’ua prezantojë një draft-statut por që, sipas tij, ishte refuzuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Kurti kishte shkruar në rrjetet sociale se propozimi është mbështetur në letrën që ish-shefja e BE-së, Federica Mogherini, ia pati dërguar Isa Mustafës; aktgjykimin e Kushtetueses së vitit 2015 për Asociacionin; si dhe qëndrimin e zyrtarëve amerikanë - Chollet dhe Escobar, të publikuar në “KOHA”, disa ditë para takimit në Ohër.