Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” ka thënë se vizita e së martës në Luginë të Preshevës e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, paraqet rikthimin e interesimit të Administratës amerikane për integrimin e shqiptarëve në Serbi.
Në “Konfront” të KTV-së Kamberi ka thënë se procesi i integrimit të shqiptarëve atje është vënë në rifokus.
“Edhe vizita e sotme e Hillit duket një lloj interesimi, rikthim i interesimit të Administratës amerikane për ta ridinamizuar integrimin e shqiptarëve që është i bllokuar, i premtuar që nga viti 2001. Në atë kohë kishte dy synime, integrimin e shqiptarëve dhe zhvillimin ekonomik. Që nga vrasja e Gjingjiqit më 2003 është bllokuar dhe pas ardhjes në pushtet të Vuçiqit. Nëse analizojmë fjalët e Hillit në Preshevë dhe Bujanovc ai tregoi një interesim për ta ridinamizuar integrimin e shqiptarëve në Serbi”, ka thënë ai.
Sipas Kamberit, nëse analizohet fjalimi i Hillit të martën dalin në pah dy gjëra. Ai ka thënë se Administrata amerikane ka dhënë mesazhin se qeveria serbe duhet të bëjë më shumë për shqiptarët.
“Nëse e analizojmë fjalimin, ka dy gjëra. Në njërën anë thotë që duhet të ridinamizohet procesi i integrimit, do flas me Bërnabiqin dhe Vuçiqin në Beograd, dhe në anën tjetër e ngrit mesazhin që çështja e Luginës nuk mund të ndërlidhet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe me procesin e Marrëveshjes së Ohrit. Mesazhi i administratës amerikane është se duhet të integrohen shqiptarët në Serbi dhe qeveria serbe duhet të bëjë më shumë”.
Ndërsa, për përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi, Kamberi ka thënë se nuk ka qenë interes i SHBA-së.
“Administrata amerikane është konsistente, pavarësisht dëshirave tona. Administrata amerikane nuk ka pasur gatishmëri të flitet për Luginë në Rambuje, nuk ka pasur gatishmëri ta lidhë Luginën në bisedimet e Vjenës, siç po shihet edhe një herë nuk ka gatishmëri ta përfshijë”.
Kamberi: Po ka një përpjekje për t’iu shmangur momentalisht ballafaqimit me të kaluarën
Kamberi ka thënë se në Serbi ka një “dualitet që herë ka rusofili për me i dhënë të drejtë Rusisë e herë përdoret rasti i Ukrainës për të thënë se u sulmua një vend sovran nga një fuqi e jashtme, e ju në Kosovë e toleruat këtë”.
“Sipas meje Hill nuk e lejoi atë analogji. Ai tha se s’mund të krahasohet Kosova e Ukraina. Ai e bën ndarjen e qartë mes regjimeve. Thotë se duhet pasur parasysh se çfarë regjimi ishte në atë kohë në Beograd”.
Kamberi ka thënë se Hill kur pyetet nga gazetarët a kërkon falje për bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi, ai shmang përgjigjen.
“Ai flet si diplomat, flet nga statusi i diplomatit. Gjuan topin thotë se bombardimi ka ardhur për shkak të mungesës së vullnetit diplomatik të Serbisë. Unë nuk pash ndjesi turpi nga ambasadori Hill. Nuk po shoh këtë. Por, ka një përpjekje, siç e pamë edhe te Marrëveshja e Ohrit, jo me barazu agresorin me viktimën, por ka përpjekje me shmang ballafaqimin me të kaluarën për momentin. Edhe Hill në intervistë thotë se duhet parë nga e ardhmja. Tash orientimi, për shkak të interesave gjeostrategjike e situatës, s’po don me fol shumë për ballafaqimin me të kaluarën. Më me rëndësi tash është paqësimi, stabiliteti e siguria”, tha Kamberi.