Të martën janë bërë 24 vjet nga masakra në familjet Duriqi, Bogujevci e Llugaliu në Podujevë. 16 jetë ishin shuar atë ditë në këtë masakër. Forcat e rregullta e paramilitare serbe vranë 36 veta në Podujevë, 6 i kidnapuan, 3 nga të cilit janë gjetur të vdekur e 3 vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Të mbijetuarit tregojnë tmerrin që kishin përjetuar mbi dy dekada më parë
Vrimat e plumbave ende ruajnë dëshminë e krimit të 28 marsit të vitit 1999 të forcave serbe në qytetin e Podujevës. 39 jetë ishin shuar atë ditë në 5 masakra që kishin ndodhur në pjesë të ndryshme të Podujevës, krahas edhe 3 personave që ende figurojnë të zhdukur.
Masakra më e madhe ndodhi pak metra larg stacionit të policisë, ku ishin pushkatuar 7 anëtarë të familjes Duriqi, 6 të familjes Bogujevci, 2 të familjes Llugaliu dhe një të familjes Gashi.
Nga këto 16 viktima, që ishin 7 fëmijë, 7 gra e 2 pleq, 14 prej tyre ishin vrarë në oborrin e Halim Gashit. Edhe pse nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur krimi 24 vjet më parë, 81-vjeçari thotë se nuk ndihet mirë sa herë që del në oborrin e tij.
“Në orën 5 të mëngjesit kanë ardhë pesë veta edhe më kanë thanë i kie 10 minuta afat me dalë prej këtu. Policë të rregullt kanë qenë. Edhe në atë shtëpinë andej kanë hy paramilitarët edhe krejt ajo mëhallë ka hy këtu. Në atë shpinë aty janë kanë Duriqtë e Bogujevctë, i paskan pa shti këtu. I kishin mbështetë këtu edhe i kanë vra. Këtu rend plumbat janë kanë, 99 teneqe (predha v.j.) i kam gjetë. Edhe një plumb pa kërsit”, ka rrëfyer Halim Gashi.
Saranda Bogujevci është njëra nga të mbjetuarat e masakrës së familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu. Ajo ka dhënë shumë dëshmi në një proces gjyqësor që ishte zhvilluar në Serbi. Për këtë masakër ishin dënuar 5 pjesëtarë të formacionit paraushtarak “Shkorpionët”.
Jo larg nga ky vend, në një shtëpi tjetër ishin vrarë Selim e Idriz Tahiri, ndërsa Nazim Veseli u kishte mbijetur plagëve. Nazimi tregon se pas një ofensive në fshatin Përpellac, familja e tij ishte strehuar në shtëpinë e Skender Hysenit në qytet, ku po qëndronin rreth 50 veta.
“Në këtë shtëpi kanë qenë familja Tahiri nga Dumnica e familja Jusufi. Nga kati i dytë vëzhgonim (militarët e paramilitarët), ku i demolonin të gjitha lokalet këtu përreth. Dëgjoheshin krisma të armëve të ndryshme, shiheshin me uniforma të llojllojshme. Diku rreth orës 12:00 e kemi parë kur kanë tentuar të hynin këtu në oborr. Nuk kanë mundur ta hapnin një derë metalike edhe me anë të armës e kanë hapur dhe kanë hyrë në shtëpi. Nga momenti që kanë hyrë ata kanë filluar me rrahje, sidomos neve meshkujve për një kohë të gjatë”, rrëfen Nazim Veseli.
Ai thotë se policët e uniformuar i kishin marrë Selim Tahirin edhe Isak Isufin si mburojë për t’i kontrolluar disa shtëpi përreth.
Mbijetoi me gjashtë plagë
“Ndërsa unë kam qëndruar gjatë gjithë kohës këtu në oborr me babain e Selimit, me të ndjerin Idrizin. Pas një kohe janë kthyer edhe na kanë marrë, na kanë thënë neve meshkujve do t’ju dërgojmë në stacionon policor në Podujevë. Jemi nisë, prej këtu kemi dalë deri te lagjja Dushkolli në drejtim të staconit policor. Prej aty janë vërejtur që po vijnë forca të shumta militare nga drejtimi i urës të lumit Llap në drejtim tonë edhe ata na kthyen edhe na thanë ‘ju jeni të lirë, ju ndihmoftë Zoti, ishallah shpëtoni”, tregon ai. “Derisa ne kemi hyrë dhe kemi tentuar që sa më shpejt t’i largojmë familjet nga këtu, kanë hyrë disa pjesëtarë të uniformuar të policisë speciale edhe na kanë marrë. Na kanë futur në korridorin e shtëpisë. Unë, Idriz Tahiri, Selim Tahiri edhe Isak Isufi të cilët na kanë nxjerrë në ekzekutim edhe ka filluar një breshëri e kallashnikovit prej 30 fishekësh. Në ato çaste unë i kam pasë gjashtë plagë nga arma e kallashnikovit, Selimi edhe Idrizi kanë mbetur të vdekur në vend, ndërsa Isaku ka shpëtuar pa asnjë plagë”.
Pasi i kishin zbrazur karikatorët, sipas dëshmitarit Veseli, policët ishin larguar nga oborri.
“Nëna me motrat edhe babain më kanë marrë prej këtu edhe kemi dalë nga një derë dalëse në oborrin e fqiut edhe duke kaluar mur pas muri derisa kemi arritur në familjen e Jashar Fetës. Ndihmën e parë e kam marrë në shtëpinë e Jashar Fetës diku pas pesë orësh që jam plagosur. Aty kanë ardhë në ndihmë doktorët Afrim Tahiri, ka qenë Halit Maloku, ka qenë farmacisti Bashkim Bajraktari, ka qenë dentisti Adem Gashi e disa të tjerë. Aty më është dhanë ndihma e parë”.
Gjatë natës thotë se me ndihmën e familjes Blakçori dhe pjesëtarë të UÇK-së, me traktor ka arritur të shkojë në fshatin Ballofc.
Në të njëjtën ditë ishte vrarë edhe Ukë Uka, Rasim Murati e Sabedin Popova, ndërsa i riu Edmon Popova kishte vdekur nga frika. 36 anëtarë nga familje të ndryshme ishin strehuar aty.
Emin Abazi rrëfen se po qëndronin në shtëpinë e mikut të tij, Bejtë Mërnicës në qytet. Për të qenë më të sigurt, kishin dëgjuar se duhej të vendoseshin lecka të bardha nëpër dyer, si shenjë dorëzimi.
“Kushërini Ukë Uka m’i ka marrë çelësat në dorë edhe tha ti jo po unë dal i çeli. Unë kam mbet në atë terasë aty, kur u ardhë e ka çel kapixhikun, shtatë janë kanë (paramilitarë), peshqirat i kanë pas këtu (në ballë), këmbët të përvjelur deri në gju, automatikët në dorë, pos ia kanë dredhë automatin edhe e ka vra në vend, tri herë. E kanë vra Rasim Muratin e Dumnicës, e kanë vra Sabedin Popovën, edhe ai djalë i ri, (Edmon Popova) u kanë pas dyerve, kur i ka vrarë ata, e ka lëshuar shpirti edhe atë. Katër xhenaze”, tregon Emin Abazi. “Unë jam afruar me marrë kushërinin, u mbet në gjunj, e kam ngreh i ka dalë shpirti. Jam afruar me këqyr çka ka në xhepa, me ia hjek, më kanë gjuajt prej Sillosi me snajper, edhe më është dashtë me ndërpre. Mas një kohe kam dalë me grua të tij edhe ia kemi hjek do sene. Deri në orën 8 të natës kemi mbet se s’mujshim me dalë. Atë ditë janë vra edhe Xhemajl Shalaku, Feriz Breca, Isufi i Smjalit”.
Krimi që nuk u ndëshkua
Deri në orën 22:00 thotë se kanë qëndruar aty, ku pastaj janë nisur me shumë persona tjerë për në Ballofc e të nesërmen në Herticë.
“Kushërinin e kemi gjetë me këta 11 xhenaze te xhamia ‘Te Bebushët’, tjerët i kanë shti në dhe te varrezat te hekurudha. Unë jam dëshmitar i gjallë”, ka thënë Emini.
Edhe Nazim Veseli thotë se në vitin 2004 nëpërmjet Fondit për të Drejtën Humanitare kishte dhënë dëshmi në një gjykatë në Beograd, por kurrë nuk kishte marrë ndonjë lajm se është dënuar dikush.
“Sa i përket drejtësisë, mund të them me plot përgjegjësinë e fjalës se institucionet tona nuk janë ende t’u bë asgjë. Unë në vitin 2004 kam qenë si dëshmitar në Gjykatën në Beograd përmes Fondit Humanitar për të Drejtat e Njeriut me në krye Natasha Kandiqin. Atë ditë i kam dhënë disa emra të cilët i kam parë atë ditë këtu duke bredhur këtyre rrugëve. Mirëpo unë nuk kam marrë asnjë informacion se çfarë është bërë me ta. Ndërsa sa i përket Prokurorisë Speciale, Gjykatës tonë, asnjëherë as nuk jam ftuar as nuk kam marrë asnjëherë deklaratë nga askush”, ka thënë Nazim Veseli.
Edhe Emin Abazi thotë se askush nuk i ka kërkuar deklaratë për këto krime.
“Po jo more, po tybe nuk i ka ra kujt në mend për këto punë. Po tek tash ka nisë me na dalë neve gjumi. Ti a po e sheh çka është t’u u ba. Kujt s’i ka ra në mend, po më shtin me folë, po tybe nuk kam çare pa folë, na i kemi pas sytë veç me plaçkit, ne s’jemi interesuar për tjerat. Qe 22 vjet na po e shohim çka u ba këtu. S’u interesua kush për atë punë. Pos qysh te nxa naj banesë, qysh te maroj një lokal, qysh te maroj naj shpi, na për këta jemi ardhë në këtë situatë. Kjo është tmerr. Kush nuk më ka vetë deri sot”, ka thënë ai.
KOHA ka dërguar pyetje në adresë së Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me punën që është bërë për këto vrasje, por gjatë ditës së martë nuk ka marrë përgjigje.
Kurti këron drejtësi për viktimat e masakrës në Podujevë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet e shtetit e kanë borxh të kërkojnë drejtësi për viktimat e luftës. Pasi ka bërë homazhe në Podujevë, në 24-vjetorin e masakrës ndaj familjeve shqiptare në Podujevë, ai ka thënë se masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
“Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin që e kemi ndaj familjeve që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe”, ka thënë Kurti, nëpërmjet një komunikate për media.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që të punojë në ndjekje të kriminelëve dhe të vërë drejtësinë në vend.