Arbëri

Kurti: Institucionet e kanë borxh të kërkojnë drejtësi për viktimat e luftës

Institucionet e shtetit e kanë borxh të kërkojnë drejtësi për viktimat e luftës, ka thënë të martën kryeministri Albin Kurti pasi ka bërë homazhe në Podujevë, në 24-vjetorin e masakrës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.

“Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai.

“Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe”, ka thënë Kurti, bën të ditur komunikata nga Qeveria.

Sipas njoftimit, Kurti i ka bërë thirrje Prokurorisë “që të punojë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë”.

Kurti ka kujtuar se masakra në Podujevë u krye nga njësiti serb “Shkorpionët”, një nga pjesëtarët e të cilit u lirua nga burgu 3 vjet e gjysmë para se ta përfundonte dënimin në Serbi.

“Ndërkaq, para pak muajsh, e morëm vesh lajmin se është arrestuar në Athinë të Greqisë, si njëri prej eksponentëve kryesor të një karteli të drogës atje. Pra, krimi i organizuar dhe kriminelët e luftës janë të lidhur ngushtë”, ka thënë Kurti.

“Si institucione të shtetit, si politikanë përfaqësues, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, ne jemi gjithmonë borxhli ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë tonë dhe në të njëjtën kohë kemi obligim sa të jetë jeta, që të angazhohemi për drejtësi për ta”, ka deklaruar ai.

24 vjet më parë, në Podujevë forcat serbe vranë 16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.