Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se është përkeqardhje që presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk reaguan pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e vrasjes së Sebahate Morinës.
Gjykata Kushtetuese më 22 mars të këtij viti mori vendim se autoritetet shtetërore të drejtësisë, me anë të mosveprimit, ia kanë mohuar të drejtën për jetë Sebahate Morinës, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti më 2021.
E Shala ka thënë se dhuna në familje përmendet si urgjencë shtetërore vetëm në raste të caktuara.
“Dhuna në familje përmendet si urgjencë shtetërore kur ndodhin raste të caktuara. Përballë asaj që deklarohet si urgjencë shtetërore, nuk veprojnë institucionet. Është shumë për keqardhje që s’kemi reagim nga presidentja, kryeministrja, kryekuvendari apo ministri i Brendshëm, pasi edhe Policia ka dalë fajtore në rastin. Ato statuset si “janë dy shqiptarë më pak” të Kurtit janë qesharake. Nuk po veprojmë në bazë të kësaj urgjence shtetërore. Është problematike dhe shqetësuese”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Shala ka thënë se pas aktgjykimit të Kushtetuese kanë kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, dhe prokurores së rastit. Por, pavarësisht kësaj, siç thotë ai, sistemi prokurorial nuk ka vepruar.
“Është dekurajim për të gjitha viktimat e dhunës në familje mosveprimi i sistemit prokurorial”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se më herët Prokuroria e Prishtinës është mbrojtur duke thënë se raportet e IKD-së po bëhen me qëllim prishjen e imazhit të tyre. Por pas aktgjykimit të Kushtetueses, Shala thotë se ata po heshtin.
Nëse kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorja e rastit nuk japin dorëheqje, Shala ka thënë se ndaj tyre duhet të iniciohet masa e shkarkimit.
“Çdo masë më e butë nuk arsyetohet”, ka thënë ai.
Në njoftimin nga Gjykata Kushtetuese është bërë e ditur se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre për mbrojtje të jetës së Morinës. Ajo disa herë e kishte raportuar ish-bashkëshortin e saj në Polici. Këtë për herë të fundit e ka bërë dy javë para se të vritej, më 14 mars të vitit 2021.