Arbëri

Musliu: Ndikimet politike në sistemin e drejtësisë po vazhdojnë, s’po ndryshojnë

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar se ashtu siç është theksuar në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, ndikimet politike në sistemin e drejtësisë ende po vazhdojnë dhe nuk është se po ndryshojnë.

I ftuar të martën në “Konfront” të KTV-së, Musliu ka thënë se tashmë mund të ketë maskim më të mirë, por se në praktikë nuk po arrihen rezultatet e pritura.

“Ndikimet politike në sistemin e drejtësisë janë ato që janë theksuar në vazhdimësi në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit e që nuk është se po ndryshojnë. Ndoshta ka një maskim më të mirë tani, por edhe kauzat me të cilat ka ardhur kjo qeveri në pushtet natyrisht se po i mban dhe po i ruan sepse ende po besohet se nuk mund të ketë praktika nga kjo qeveri siç ka pasur nga qeveritë e kaluara”, është shprehur ai.

Musliu ka shtuar se ende nuk ka fuqizim të duhur të sektorit të sundimit të ligjit përkundër asaj që është proklamuar edhe nga kjo qeveri.

“Kosova asnjëherë nuk ka vuajtur nga mungesa e politikave. Edhe qeveritë paraprake, edhe kjo qeveri nuk është se nuk kanë hartuar politika në shumë raste edhe adekuate, që të përballen si duhet me këtë fenomen, por ajo që ka munguar është zbatimi i tyre në praktikë. Tentimi për të bërë reforma gjithmonë ka qenë një rrugë e cila ka filluar me një qëllim të mirë, por që nuk ka arritur asnjëherë të arrijë rezultatet e pritura. Ka ide të mëdha, ka popullizëm për shumëçka që duhet të ndërmerret por nuk ka veprime konkrete”, ka thënë ai.

Betim Musliu ka thënë se një gjë tjetër që nuk ka pasur lëvizje ka qenë edhe çështja e sigurimit të banimit të viktimave të dhunës në familje.

“Kemi veprimet që i merr Policia në rastin e dhunës në familje. Bashkëjetesa në çift bëhet e pamundshme, e merr Policia viktimën e dërgon në strehimore, ku më së shumti qëndron 6 muaj. Në shumicën e rasteve kjo viktimë e dhunë s’ka alternativë tjetër e detyrohet të kthehet te dhunuesi. Asnjë institucion nuk i bën zgjidhje. Edhe këtë pjesë ka pasur zotime, por asnjë veprim konkret nuk është marrë”, ka thënë Musliu.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka theksuar se raporti i DASH-it është vetëm një miratim i të gjitha raporteve që janë bërë në Kosovë.

“Padyshim që Kosova ka vërejtje të shumta në zbatim të ligjit, padyshim që institucionet e shumta dështojnë në zbatim të ligjit dhe në masa ndëshkimore. Edhe raporti i DASH-it vetëm se po i miraton edhe një herë ato për çfarë ne e kemi ngritur zërin vazhdimisht në Kosovë për diskutime të tëra”, ka thënë ajo.

Sipas Breznicës, institucionet e Kosovës po dështojnë në dënime meritore të cilat po jepen.

“Përderisa ne kemi dënime të shumta me 50 euro gjobë, padyshim që institucionet vetëm se po ua japin luksin dhunuesve që ata të gëzojnë një armë dhe të shkojnë në fatalitet. Të gjitha rastet e feminicidit dhe për të gjitha rastet e vrasjes së grave, padyshim që institucionet janë përgjegjësve dhe bashkëfajtore. Kur po flasim për raportin e DASH-it, është vetëm një shpërfaqje e raporteve të shumta që janë bërë në Kosovë”, ka shtuar ajo.