Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ashtu si më 27 shkurt, edhe sot në Ohër, Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes. Megjithatë, Kurti ka thënë se ka pasur pajtim publik mes palëve. Ai e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.
“Erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt, po i ikën nënshkrimit. Tash edhe me aneks. I takon BE-së të gjejë mekanizmin të bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka thënë Kurti.
“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë de facto. Natyrisht që ka edhe shumë gjëra të tjera aty. Por sot mund të themi se e kemi edhe aneksin e zbatimit”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se shtetet do të merren edhe me çështjen e së kaluarës duke e cilësuar si urgjente në të çështjen e të pagjeturve.
Ai ka komentuar edhe çështjen e nenit 7, që sipas ndërmjetësit Josep Borrell do të nisë së implementuari menjëherë. Ky nen flet për “vetëmenaxhim të komunitetit serb”.
“Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht që do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim, duke mos harruar që propozimi i Ahtisaarit u ka krijuar hapësirë e mundësi tejet të mëdha që t’i gëzojnë të drejtat e t’i plotësojnë nevojat e tyre”, ka thënë Kurti.
Për formalizimin e Kishës Ortodokse Serbe, kryeministri Kurti ka thënë se është i hapur për bashkëbisedim me krerët e saj.
“Sa i përket Kishës Ortodokse Serbe natyrisht që ajo si një çështje ekziston në marrëveshjen bazike dhe ajo që kam shprehur gjatë këtij takimi është se jam i interesuar të bëj bashkëbisedim të hapur, të sinqertë, për të gjitha temat që duan t’i diskutojnë me mua si kryeministër i Kosovës. As s’është presidenti i Serbisë patriark e as patriarku i Kishës Ortodokse Serbe nuk është president. Duke pas parasysh se Serbia është shtet sekular konsideroj se do të duhej direkt Qeveria, unë si kryeministër, ministri i Kulturës që e ka trashëgiminë kulturore dhe çështjen e lirisë fetare në portofolin e tij dhe për zemër si një çështje, do të duhej të angazhohemi drejtpërsëdrejti me udhëheqësit, priftërinjtë e lartë të Kishës Ortodokse Serbe sepse jemi të interesuar që askujt të mos i cenohen të drejtat. Kemi ligj për liritë fetare dhe të trashëguar për zonat e veçanta dhe atë për zonën historike të Prizrenit”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, ndërmjetësit kanë preferuar që në marrëveshje të kishte nënshkrime.