Shefi i kabinetit të Konjufcës: Serbia kësaj radhe do ta marrë koston e merituar
Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka thënë se në takimin e Ohrit “Serbia do ta marrë koston e merituar”.
Në një shkrim në Facebook të shtunën, pas përfundimit të pjesës së parë të takimit midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Ohër, Kërçeli ka thënë se “Serbia kthehet nga Ohri, destruktive si gjithmonë”.
“Veç kësaj radhe do e marrë edhe koston e merituar. Nuk ka asociacion i cili shkel Kushtetutën e cenon integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. #meKryeministrin”, ka shkruar ai.
Kurti e Vuçiqi kanë përfunduar pasdite pjesën e parë të takimit. Siç ka mësuar KOHA, palët do të kthehen në tryezë të diskutimeve.
Në Ohër po bisedohet për planin e zbatimit të propozimit evropian.