Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se nëse Kosova e Serbia do të pajtohen për zbatimin e Planit evropian atëherë mbikëqyrja do të jetë më ndryshe sesa në të kaluarën.
Palokaj ka thënë, duke u bazuar në planin e Bashkimit Evropian, se do të krijohet një ekip me përfaqësues nga Kosova e Serbia që do ta mbikëqyrin zbatimin e pikave të marrëveshjes. Deri tash, siç thotë Palokaj, kjo është bërë në mënyrë objektive nga strukturat e jashtme të BE-së për t’i ndihmuar Serbisë në rrugën për anëtarësim në bllok.
“Do të krijohet një mekanizëm që në mënyrë transparente dhe më të prerë do ta mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes, sepse deri tani kanë raportuar vetëm struktura e jashtme e BE-së dhe ato raportet kanë qenë objektive dhe të kurdisura që t’i hapet rruga Serbisë në anëtarësimin drejt BE-së. Tash do të ketë, sipas planit, një ekip së bashku me Kosovën e Serbinë dhe do të udhëhiqet nga BE-ja. Do të vëzhgohet për zbatimin e të gjitha pikave dhe do të raportohet përse nëse njëra prej pikave nuk do të zbatohet. Ky mund të jetë një ndryshim, pasi BE-ja nganjëherë me të ashtuquajturën ambiguitetin konstruktiv ka krijuar më shumë probleme”, ka thënë ai në KTV.
Palokaj ka thënë se nëse palët dakordohen sot për zbatim të marrëveshjes, atëherë disa prej tyre mund të marrin shumë kohë për t’u vënë në praktikë, siç është krijimi i Asociacionit apo vendosja e misioneve të përhershme në Prishtinë e Beograd.
Palokaj nuk pret të ketë marrëveshje përfundimtare në 10-vjetorin e ardhshëm.
Në Ohër, pak më parë përfundoi pjesa e parë e takimit trilateral midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell e Miroslav Lajçak. Takimi do të rifillojë pas një pauze të shkurtër. Zyrtarët evropianë takuan më herët ndaras Kurtin e Vuçiqin.