Arbëri

Palokaj: Askush nuk pret që në Ohër të ketë nënshkrim

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, është shprehur i bindur që në takimin e së shtunës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut nuk do të ketë nënshkrim.

Palokaj ka thënë se në takimin e nesërm (18 mars) pritjet janë që të ketë pajtim për zbatimin e Planit Evropian.

“Duhet ta bëjmë dallimin mes fjalëve pajtim, përparim dhe nënshkrim. Askush nuk pret që nesër do të ketë nënshkrim. Në bazë të asaj që kemi parë dhe dëgjuar dhe sot në shumë takime e komunikata, pritet që nesër të ketë pajtim për planin e zbatimit të Planit evropian, siç kishte pajtim për marrëveshjen në Bruksel më 27 shkurt”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Palokaj ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk do ta pranojë dështimin edhe nëse nuk do të ketë pajtim.

“Nuk e shoh që BE-ja të dalë me kredibilitet të paprekur nëse do të ketë dështim nesër. BE-ja nuk do të pranojë ndonjë dështim, edhe nëse nuk arrihet pajtimi. Do të dëgjojmë ndonjë komunikatë që ka përparim, siç kanë bërë qe 12 vjet, pasi BE-ja asnjëherë nuk pranuar që ka dështuar”, ka thënë Palokaj.

Korrespodenti i KOHËS ka thënë] edhe njëherë që pritjet e vërteta për nesër janë që të ketë pajtim, “e pastaj të shohim se si do të bëhet puna e nënshkrimit”.

Kurti e Vuçiqi do të takohen nesër [e shtunë] në Ohër. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se në takim fokusi është në zbatimin e Planit Evropian, pasi sipas tij, palët janë dakorduar për përmbajtjen e tij.

Në takimin Kurti-Vuçiq, të cilin e thirri Borrelli, do të marrë pjesë edhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.