Me kërkesën për rritje të pagave punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nesër nga ora 12:00 do të protestojnë në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Krahas rritjes së pagës punëtorët e KEK-ut, po kërkojnë edhe pagesë më të lartë për shujtë, rrezikshmëri në punë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës po për këtë kërkesë.
Kryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, tha se kërkesat e tyre janë esenciale dhe se premtimet për plotësim të kërkesave nuk janë realizuar.
“Nuk kemi ngritje të pagave. Kemi rrezikshmëri në punë po nuk paguhet rrezikshmëria për punëtorë, kemi punë të rëndë po ushqimi është i lehtë sepse kemi një shujtë të ushqimit 1 euro e 74 cent, pra edhe pse kemi pas premtim nga menaxhmenti, mund të them më shumë drejtori se prej 22 shtatorit, shujta e ushqimit do të ngritet në rast se nuk hapen restaurante por kjo nuk ka ndodhur”, tha Llumnica.
Kërkesë tjetër e punëtorëve të KEK-ut, është edhe pagesa e vikendeve për punëtorët me ndërrime.
Llumnica tha se menaxhmenti i KEK-ut, nuk po respekton vendimet e gjykatave të Kosovës për këtë çështje.
“Ne kemi edhe pagesën e vikendeve për punëtorët me ndërrime të cilëve nuk iu paguhen 50% ashtu siç e përcakton ligji, kemi fitua me Gjykatën Themelore ,të Apelit, Supreme e nuk e di çka ka kërkuar Kushtetuesja aty por edhe ajo na e ka dhënë të drejtën, dhe KEK prapë nuk e respekton këtë vendim të gjykatës dhe ne mund ta quajmë si keqmenaxhim sepse nëse pritet përmbarimi normalisht se është një humbje financiare”, tha ai.
Në përkrahje kësaj proteste i ka dal edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Kryetari i BSKPK-së, Atdhe Hykolli u shpreh se kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, janë të ligjshme dhe minimale.
“BSPK kërkon nga drejtori menaxhues i KEK dhe bordi i KEK që sa më parë të ulen të diskutojnë me Sindikatën e Re të KEK-ut dhe t’i arrijnë rezultatet ”, u shpreh Hykolli.
Ndërsa, nënkryetari Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Selatin Sadiku kërkoi që kërkesat e tyre të plotësohen sa më shpejt, në të kundër paralajmëron edhe radikalizim të veprimeve të tyre.
“Aseti më i rëndësishëm i KEK-ut janë punëtorët, fal angazhimit maksimal të punëtorëve sot jemi kompania më profitabile në vend dhe prodhojmë një produkt jetik për qytetarët e Kosovës. Në KEK për momentin kemi mbetur 3200 punëtorët, ndërsa në skemë janë diku 5200. Nëse merret kjo shifër për bazë angazhimi është maksimal i punëtorëve, punohet me tri ndërrime…Kërkojmë nga menaxhmenti i KEK-ut, që kërkesat të na plotësohet sa më shpejt, të mos na fusin të marrim hapa më radikal sindikal”, theksoi ai. / KP