Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vlerësuar kokëfortësia e kryeministrit Albin Kurti, për të dëgjuar propozimet e tyre, është një nga arsyet, që Kosova ka para vetës një marrëveshje, që sipas tij nuk i realizon qëllimet shtetërore të Kosovës.
Ai edhe një herë ka shprehur rezervat e tij sa i përket Planit evropian.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se për këtë e ka njoftuar shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, të cilën e ka pritur në takim të martën. Me të ka thënë se ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Shefes së UNMIK-ut i shpreha qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat që kemi në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas nesh, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se i kanë dhënë mbështetje të parezervë kryeministrit Kurti në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë.
“Përkundër kësaj, neglizhenca e tij, mosdakordimi me partnerët ndërkombëtarë kur ka qenë e nevojshme, kokëfortësia e tij për të dëgjuar propozimet e opozitës, përfshirë pesë pikat tona të deklaruara edhe në Ëashington, Bruksel e Kuvend të Kosovës – janë arsyet kryesore që sot kemi një marrëveshje e cila nuk i realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij tani ka një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar e kërkuar.
“Sot, për fat të keq, kemi përpara një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar dhe kërkuar nga ne dhe partnerët ndërkombëtarë për vite me radhë, nga një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, ka shkruar Krasniqi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.