Marrëveshja me Serbinë po konsiderohet si pozitive në rrafshin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, nga ekspertë të kësaj fushe. Ata, normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e ndërlidhin me perspektivën evropiane të vendit dhe vlerësojnë që do t’i sjellë përfitime tregut kosovar
Njohës të ekonomisë, marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e shohin si pozitive në fushën e zhvillimit ekonomik.
Ekonomisti Besnik Avdiaj ka thënë se marrëveshja mund të sjellë stabilitet ekonomik dhe lehtësira të tjera, ku ekonomia do të përfitonte direkt.
“Do të lehtësohen shumë procedura të tjera të të bërit biznes, veçanërisht duke marrë parasysh integrimet ekonomike evropiane, ku do t’u jepen shumë mundësi bizneseve nga Kosova që të jenë pjesë e partneriteteve të pjesëmarrjeve të eventeve të ndryshme, që kanë në thelb zhvillimin dhe fuqizimin biznesor”, ka thënë Besnik Avdiaj, ekonomist.
E ekonomisti tjetër, Florin Aliu, ka thënë se vendi duhet të bëjë reforma në ekonomi.
“Reformat duhet të merren brenda vendit dhe këtu Qeveria ka probleme shumë në raport me këto reforma, sidomos në reformat në raport me zhvillimin, të ardhurat e qytetarëve. Prandaj kjo do të ishte një mundësi jashtëzakonisht e mirë”, ka deklaruar Aliu.
Jakup Bellaqa, njohës i ekonomisë, ka thënë se nga normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosovës i hapen dyert për tregun evropian.
“Kosova i ka potencialet, mundësitë që të zhvillohet shumë shpejt dhe ta fuqizojë ekonominë, të reformohet politikisht, të këtë një rritje ekonomike më të madhe dhe të ndryshojë edhe politikat makro-ekonomike. Me këtë përfiton edhe buxheti i Kosovës, sepse rriten të hyrat buxhetore. Një ekonomi zhvillohet nëse është e hapur”, ka theksuar Jakup Bellaqa.
Më 18 mars, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në qytetin e Ohrit, ku edhe pritet që të nënshkruhet propozimi evropian.