Arbëri

Gashi: Serbia sot është më larg njohjes së Kosovës sesa ishte 10 vjet më parë

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, ka thënë se Serbia sot është më larg realitetit të njohjes së Kosovës sesa që ishte 10 vjet më parë, madje sipas tij, institucionet serbe po tentojnë ta ndryshojnë historinë duke përgënjeshtruar edhe luftën.

Gashi është skeptik se një marrëveshje më 18 mars mes Kosovës e Serbisë në Ohër mund ta ndalë fushatën e Serbisë për çnjohje dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, por siç ka thënë ai, do të ketë ndikim më pak.

“Serbia sot është më larg realitetit të njohjes së Kosovës sesa ishte 10 vjet më parë. Serbia po tenton ta ndryshojë historinë, luftën, spastrimin etnik e gjenocidin që ka bërë në Kosovë – sot e përgënjeshtron edhe luftën. Kjo tregon se jo vetëm s’është e gatshme për një marrëveshje me njohje reciproke, por edhe ta tjetërsojë historinë e Kosovës. Serbia do ta shikojë edhe aneksin e marrëveshjes, që sipas informatave të mia do përfundojë pas disa dite, që të zbusë pikat ku është forcuar sovraniteti i Kosovës. Me gjithë arritjen e marrëveshjes, Serbia do të vazhdojë fushatën kundër Kosovës në organizatat ndërkombëtar e çnjohjet – edhe pse do të ketë ndikim më pak”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Por Gashi e konsideron si marrëveshje të mirë Planin evropian në këto momente, duke thënë se i jep shumë subjektivitetit të Kosovës dhe, sipas tij, do të bien poshtë ndikimet që ka Serbia te disa shtete.

Gashi ka thënë se kredibiliteti i Bashkimit Evropian do të jetë shumë i rëndësishëm, që nëse nënshkruhet marrëveshja, të mbikëqyret zbatimi i saj.

Tutje, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se do të jetë rrënjësore për BE-në dhe kredibilitetin e saj që nëse nënshkruhet marrëveshja dhe nuk do të vijë asnjë njohje nga pesë vendet mosnjohëse.

Ardhjen e emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë të premten, Gashi e sheh si garanci se në takimin e radhës do të ketë një pranim të marrëveshjes jo vetëm nga ekzekutivi i Kosovës, por edhe nga partitë opozitare që shprehen druajtjen e tyre për përmbajtjen e marrëveshjes.