Tradita e burrneshës është një praktikë shekullore në të cilën gratë u betohen për beqari pleqve të fshatit dhe jetojnë si burra. Këto gra njihen si burrneshat, ose “virgjëresha të betuara”. Por sot në botë kanë mbetur vetëm disa “virgjëresha të betuara” të kësaj tradite të lashtë ballkanike.
BBC-ja ka shkruar se si në bjeshkët e Shqipërisë tradita shekullore ende ekziston, por veçse po shuhet.
“Shqipëria ishte botë e burrave, e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të bëheshe një i tillë”, thotë Gjystina Grishaj.
Gjystina, apo siç e quajnë të tjerët, Duni, ishte 23 vjeç kur mori vendimin për t’u bërë burrneshë. Sot ka 57 vjeç. Jeton në rajonin e Lëpushës së Malësisë së Madhe.
Duni e sheh zgjedhjen e saj të jetesës si liri.
“Unë e shoh veten krejt si burrë. Se gruaja është tjetër, burrnesha është tjetër. Këtu në fshat kur ka qenë koha e komunizmit kanë mbajtur njerëzit shumë tradita dhe gruaja ka qenë gjithmonë e mbyllur, nuk ka pasur liri, por gjithmonë është dashtë një njeri ose ka shkuar vetëm burri. Ka pasur shumë momente që nuk je i barabartë”.
Të qenit burrneshë u jepte liri grave të visheshin si burra, të vepronin si kryefamiljare, të lëviznin lirshëm dhe të bënin punë që tradicionalisht ishin vetëm për burrat.
“Kur kam marrë vendimin se do të bëhem burrneshë kam pasur më shumë të drejtë fjale, kam pasur më shumë respekt. Nëpër botë ka shumë njerëz pa martuar, por nuk janë burrnesha. Burrnesha kushtohet vetëm për familje. Burrnesha është e lirë. Mundesh me e pi duhanin, mundesh mos me e pi. Mundesh me e pi rakinë, mundesh mos me e pi”, thotë Duni.
Mbesa e Dunit, Valerjana Grishaj u rrit në Lëpushë e edhe pse disa vjet më vonë ajo pa se në atë fshat opsionet për gratë janë minimale.
Përpos se të martohej ose të bëhej burrneshë, Valerjana zgjodhi të largohej nga shtëpia si 16-vjeçare dhe të studionte në kryeqytet, Tiranë.
Edhe pse nuk ka shifra të sakta, vlerësohet se kanë mbetur vetëm 12 burrnesha në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Që nga rënia e komunizmit, Shqipëria ka parë ndryshime shoqërore që nënkupton më shumë të drejta për gratë.
Valerjana e sheh pozitive që tradita e burrneshave po vdes sot.
“Sot, ne vajzat nuk luftojmë për t’u bërë burra. Duhet të luftojmë për të drejta të barabarta, por jo që të bëhemi burra”.
Tradita e burrneshës i ka rrënjët nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, një radhë ligjesh të lashta të përdorura në Kosovë dhe Shqipërinë veriore në shekullin 15, mbi të cilin u organizua shoqëria shqiptare. Sipas këtyre ligjeve patriarkale, gratë konsideroheshin pronë e burrit të tyre.
Historiania Afërdita Onuzi thotë se zgjedhja e grave në të kaluarën ka qenë shumë e kufizuar.
“Është edhe një lloj proteste e përkthyer në sakrificë. Zgjedhja e një vajze për t’u bërë burrneshë nuk ka lidhje me seksualitetin. Është thjesht një zgjedhje për të pasur një rol tjetër në familje dhe burrneshë mund të bëhej një vajzë që refuzon një martesë të papëlqyer, një vajzë që në familje nuk ka djem. Ishte mënyrë për të shpëtuar”.
Duni nuk u detyrua të bëhej burrneshë, ajo e zgjodhi vetë atë. E rritur në Shqipërinë komuniste, ajo ndihej se burrat atë kohë kishin më shumë liri.
Por, për të tjerat, ato zgjodhën të jenë burrnesha sepse ndiheshin më shumë si burra.
“Kur e vendosa me u bë burrneshë, e mora këtë vendim me qëndru beqare gjithë jetën. Për vete e vlerësoj veten në rangun e burrave dhe tërë jetën kam qëndruar me burra. E kam ndjerë veten shumë më lirshëm”, thotë Drande Dodaj nga Shëngjini.
Për Dranden, praktika ishte mënyrë për të shijuar lirinë.
“Rakia, duhani gjithmonë për burra kanë qenë. Unë pi 15 cigare në ditë”.
Edhe pse ajo është krenare me sakrificat që zgjodhi, pranon se nganjëherë është ndjerë e vetmuar e një herë edhe se ka përjetuar pendim.
“Ishte vendim i vështirë për mua. Kisha një mërzi, isha shumë e sëmurë dhe nuk kishte kush të më ndihmonte, jam zgjuar dhe jam zvarritur. Për momentin thash të kisha qenë njeri si tjerët, do ta kisha pasur një fëmijë që të më bëjë hyzmet. Por, ai ishte një moment, e kam kthyer trurin”, tha Drandja.
Lali Rapiki, burrneshë në Durrës, thotë se vendimin e mori për një arsye, se gratë nuk trajtoheshin siç duhej.
Ndërsa, me krenari shton se burrneshat do të mbeten në histori gjithmonë.
“Burrneshat janë njohur vite-vite dhe shekuj. Për të vetmen arsye, se më përpara gratë nuk trajtoheshin siç duhej. Merreshin me punët e shtëpisë, kujdeseshin për fëmijët, me larje-shpëlarje, gatime e të gjitha. Përmendej gjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit, ka qenë shumë i egër”.
“Gjithmonë të jetë e ngulitur në mendjen e kujtdo që burrneshat nuk do të shuhen, do të mbeten në histori për gjithë jetën”, thotë Lali.