Qytetarë të shumtë nderuan sakrificën e familjes Jashari në kompleksin Memorial në Prekaz gjatë së dielës. Ata theksuan se Prekazi është vend frymëzues dhe se kontributi i familjes Jashari nuk mund të shprehet me fjalë. Qytetarët kërkuan angazhim nga institucionet në dokumentimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vend frymëzues e pikë kthese e vetëdijes kombëtare për çlirim, u quajt Prekazi nga vizitorët në 25-vjetorin e Epopesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nazmi Shaljani në çdo përvjetor sjell nipin e tij në kompleksin memorial në Prekaz, për siç thotë ai, që ta ruajë memorien historike që përmban rezistenca e Jasharëve.
"Çdo vit 5 marsin vij e vizitoj me nip këtu, sepse borxh e kemi, pasi pushka e Adem Jasharit i ka bashkuar të gjitha trojet shqiptare, themeli i pavarësisë së Republikës së Kosovës ka nisur nga këtu”, ka thënë Nazmi Shaljani, qytetar.
Edhe për Ismail Morinën, vizitor nga Kukësi, është e rëndësishme që kontributi i të rënëve të mbahet gjallë në kujtesën e shqiptarëve.
"Mendoj se sa të ketë rruzulli tokësor shqiptarë, sakrifica e familjes Jashari do të jetë në kujtesën e shqiptarëve... Është një thënie e vjetër, nëse je i destinuar ta harrosh historinë, je i destinuar po ashtu të përsëritet. Nëse nuk e përcjellim ne këtë te gjeneratat e reja do të ishte një gabim fatal”, Ismail Morina, vizitor nga Shqipëria.
Prekazi për Meqan Zotajn nga Mallakastra e Shqipërisë, është pasqyrim i sakrificës për mbrojtjen e atdheut.
“Është një qendër frymëzuese është një qendër referimi për të gjithë shqiptarët për t'u mbushur një lloj energjie sesi duhet atdheu...Çuditem për politikanët shqiptarë, qoftë Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët vijnë këtu, e mbase largohen prej këtu shkojnë e bëjnë nënshkrime të dëmshme në interesa të kombit tonë, kryesisht me Serbinë, e cila ka vrarë jo vetëm këtë familje, por ka vrarë e masakruar mbi 12 mijë shqiptarë të Kosovës”, ka thënë Meqan Zotaj, vizitor nga Shqipëria.
Sakrifica e Jasharëve u nderua edhe nga familjarë të dëshmorëve Bedri Shala e Bekim Berisha.
Ata kërkuan që institucionet të angazhohen në dokumentimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne e kemi shtetin e pavarur, edhe shteti i ka vështirësitë e veta të kohës, sepse duhet të ballafaqohen edhe me ndërkombëtarët, duhet angazhim. Besoj që një ditë gjithçka do të merr fund”, ka thënë Elmi Shala, vëllai i dëshmorit Bedri Shala.
Me lule të vendosura mbi varret e të rënëve, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sakrificën e Jasharëve.
“Sot më 5 mars me bashkëluftëtar nga gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, me kolegë deputetë, kryetar të komunave, të rinj e të reja po nderojmë këtu në Prekaz, në vendin ku ka ndodhur kthesa e vetëdijes tonë kombëtare, e vetëdijes për çlirim, ku i gjithë populli pranoi kushtrimin prej këtu për të luftuar deri në çlirim, Në këtë vend pushojnë legjendarët tanë, komandanti ynë, Adem Jashari dhe familja Jashari, po ashtu prej këtij vendi nisemi më të forte çdoherë për të gjitha ato punë që na presin”, ka thënë Haradinaj.
Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës e ka nisur organizmin e aktiviteteve të ndryshme në kuadër të manifestimit gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.