Arbëri

Mustafa: Kurti pranoi një marrëveshje ku serbëve u jepen kompetenca ekzekutive

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar përgjigje mbi pikën shtatë të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në këtë pikë flitet për formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e po ashtu për sigurimin e “një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes”.

Ai i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të tregojë nëse ky nen është në përputhje me Kushtetutën.

Ndërsa ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti pranoi një marrëveshje ku serbëve u jepen kompetenca ekzekutive.

“Marrëveshja bazë e pranuar nga Kryeministri Kurti në pikën 7 parasheh një formë të vet-menaxhimit për serbet në Kosovë, sipas përvojave evropiane. Le të tregojë Presidentja Osmani, që vet-shitet si juriste e fortë se a është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”

Menaxhimi përfshin planifikimin, organizimin, personelin, drejtimin (udhëheqjen) dhe kontrollin, ka shtuar Mustafa tutje duke theksuar se këto nënkuptojnë kompetenca ekzekutive.

“Këto i pranoi kryeministri ynë. Asociacioni është diçka tjetër”, ka shkruar ai në Facebook.