Arbëri

Vllasi: Kosova duhet t’i kërkojë Serbisë ta heqë atë nga Kushtetuta e saj

Descriptive Text

Ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, ka thënë se pala kosovare duhet të kërkojë në kuadër të marrëveshjes me Serbinë, që të diskutohet mundësia që në të ardhmen ky shtet ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj.

Vllasi ka thënë të premten në “Interaktiv” se Serbia e ka të definuar në Kushtetutë Kosovën, ashtu siç e ka futur regjimi i Millosheviqit.

“Duhet të shtrohet si çështje parimore nga pala kosovare nevoja që në vazhdim të bisedohet se kur do ta heqë Serbia nga Kushtetuta e vet Kosovën, që e ka të definuar në Kushtetutë taman si e ka futur në Kushtetutën e Serbisë kur ishte njësi federale regjimi i Millosheviqit pas shkeljes së dhunshme të pozitës kushtetuese të atëhershme të Kosovës që ishte sipas Kushtetutës së vitit 1974 sepse njohja reciproke mes dy shteteve është akt mes dy shteteve, nuk e mbron e drejta ndërkombëtare”, ka thënë Vllasi.

Teksa ka folur për takimin e 27 shkurtit që pritet të mbahet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Vllasi ka thënë se pritet që të dy udhëheqësit do të deklarojnë se parimisht e pranojnë propozimin evropian.

“Të dy kanë deklaruar se parimisht e pranojnë. Vuçiqi e ka pak më të vështirë se vetë e ka krijuar qe 10 vjet opinionin kundër njohjes, ndërsa Kurti do ta ketë më lehtë sepse ky plan ofron marrëveshje mes dy shteteve, marrëveshje ndërshtetërore. Pala kosovare do të insistohet që një ditë duhet të vijë edhe deri te njohja reciproke, nga pala serbe do të insistohet që të formohet Asociacioni dhe do të refuzohet nga pala serbe njohja eksplicite”, ka shtuar Vllasi.