Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka kthyer dialogun me Serbinë nga marrëveshja politike në problem të sigurisë. Sipas saj, Kurti në dialog do të nënshkruajë marrëveshje për Asociacionin e për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik.
Të hënën e 27 shkurtit, Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pritet që palët të diskutojnë për planin franko-gjerman. Sipas Çitakut, ky plan “nuk ka pikur nga qielli”.
“Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite. Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë - Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik. Kaq për gjenialitetin e Kryenegociatorit Kurti”, ka shkruar ajo në Facebook të enjten.
Kryeministri Kurti javë më parë prezantoi gjashtë kushte për formimin e Asociacionit. Kushtet që përmendi ishin që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën, të ndërrojë emrin, të mos jetë monoetnik, të mos ketë kompetenca ekzekutive, të drejtat e pakicave të kenë parimin e reciprocitetit, të shuhen strukturat ilegale të Serbisë, që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale e të zbatohet pas njohjes e që Serbia t’i tërheqë letrat dërguar shteteve mosnjohëse në BE për të kundërshtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.