Arbëri

Latifi: “Neokolonialistët mjekësorë” kanë lëshuar rrënjë në Kosovë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, në fillim të tetorit të vitit të shkuar, pasi e ka kuptuar se mund të kontribuojë më shumë “jashtë kafazit dhe teatrit politik”. Ka akuzuar se në Kosovë në shëndetësi kanë lëshuar rrënjë “neokolonialistët mjekësorë” për të cilët ka thënë se nuk duan ta zhvillojnë shëndetësinë.

Si kryetar i Kolegjit të Kirurgëve, Latifi, ka ftuar mjekët shqiptarë në diasporë të bëhen pjesë e simpoziumeve shkencore, ligjëratave dhe “transformimit të Kirurgjisë së Kosovës”. Ai ka thënë në një letër drejtuar kirurgëve se Kosova ka nevojë për kontributin e mjekëve që disiplinën dhe etikën e punës e kanë krijuar jashtë Kosovës.

“Sikurse të gjithë ju në botë, pra jashtë Kosovës, edhe unë tash e më shumë se 30 vjet kam jetuar dy jetë, atë profesionale në SHBA, përderisa gjithmonë në mendje kam qenë dhe jam në Kosovë. Në nëntor të vitit 2021 ndërpreva të gjitha gjërat që kisha ndërtuar me vite në SHBA, si Kryeshef dhe Drejtor i Kirurgjisë në gjithë rrjetin e 10 spitaleve në Westchester, New York, dhe me vullnet e dëshirë shumë të madhe pranova ftesën t’i shërbej vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo pjesë e jetës sime do të jetë një nga më të ndriturat dhe më të rëndësishmet e jetës sime akademike, kombëtare dhe njerëzore. Më pak se një vit më vonë, me shumë dhembje dhe zhgënjim të pa imagjinuar dhashë dorëheqje, ngase kuptova qartë se unë mund të kontribuoj shumë më tepër ‘jashtë kafazit dhe TEATRIT POLITIK’”, ka shkruar në letër Latifi.

Ai ka thënë se për kirurgët shqiptarë dorëheqja “ka pasur ndikim jo të mirë dhe ka qenë ‘dush i ftohtë’ në shpresat e shumicës, që menduan se më në fund do ta transformojmë dhe rivalizojmë shëndetësinë e Kosovës”.

“Edhe pse dhashë dorëheqje nga posti i Ministrit të Shëndetësisë, UNË dhashë premtimin dhe do e mbaj deri në fund, se nuk do të ndalem asnjëherë së ndihmuari Kosovën”, ka thënë ai në këtë letër.

Latifi ka thënë se s’duhet të ketë komoditet që të “shkohet ngadalë në zhvillimin e shëndetësisë”. Ai ka akuzuar se në shëndetësinë në Kosovë kanë lëshuar rrënjë "neokolonialistët mjekësorë". 

“Kjo do thotë se Ne nuk kemi kohë për të humbur me ata që as nuk dinë as nuk donë ta zhvillojnë shëndetësinë e Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë me “neokolonialistët mjekësor”, që kanë lëshuar rrënjë në forma të ndryshme në Kosovë, tash më shumë se dy dekada. Për ta ndërtuar shtetin tonë duhet të kemi shëndetësi moderne, pa shëndetësi moderne nuk kemi liri të plotë dhe nuk kemi shtet funksional”, ka shkruar ai.

“Për të arritur barazi profesionale kirurgjike, me kirurgjinë botërore, NE të gjithë bashkë, duhet të punojmë shumë më tepër dhe ta “duam vendin dhe kombin tonë shumë më shumë se që po e duam sot”. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të sillemi më përgjegjësi të madhe secili prej nesh, por gjithashtu, do të kërkojmë përgjegjësi nga secili. Dorëheqja ime ishte kërkesë e përgjegjësisë për secilin prej nesh. Nuk ishte dorëzim-përkundrazi, ishte dhe është drejtë realizimit të qëllimeve tona”, ka thënë Latifi.

Latifi qe ministër i Shëndetësisë për dhjetë muaj.