Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka paralajmëruar masa nëse konkursi për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore rezulton i jashtëligjshëm. Për konkursin që do të mbyllet më 25 shkurt, koalicioni i organizatave joqeveritare, i përbërë nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ai GAP dhe INDEP, nëpërmjet një komunikate për media, të martën, i adresoi dy shkelje të identifikuara
Vetëm pak ditë para përfundimit të konkursit të rregullt për drejtor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, janë ngritur shqetësime mbi legjitimitetin e procesit.
Për konkursin që do të mbyllet më 25 shkurt, koalicioni i organizatave joqeveritare, i përbërë nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ai GAP dhe INDEP, nëpërmjet një komunikate për media, të martën, i adresuan dy shkelje të identifikuara.
“Nga analiza e bërë e konkursit të shpallur është vërejtur që ky konkurs është në kundërshtim me kërkesat e përgjithshme formale sa i përket arsimimit të kërkuar. Kjo për faktin që Rregullorja shprehimisht thekson se niveli i arsimimit duhet të jetë diplomë/a e arsimit të lartë me së paku 4 vjet të studimeve, ndërsa në konkurs është vetëm ‘diplomë e studimeve universitare ose ekuivalente me to...’, gjë që nuk i përjashton nga përzgjedhja edhe kandidatët që kanë bachelor, me 3 vjet studimi”, thuhet në komunikatën e OJQ-ve.
Si shkelje tjetër, këto OJQ evidentuan uljen e viteve të kërkuara të përvojës së punës.
Reagime patën edhe për dy konkurse në institucione të tjera publike. E Ambasada e Britanisë së Madhe, nëpërmjet një postimi përmbledhës, ka kërkuar nga institucionet kthimin e legjitimitetit që të 3 konkurseve.
I pyetur nga KOHA lidhur me çështjen, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dha sinjale që në rast të konstatimit të shkeljeve, atëherë do të ndërmarrë masa.
“Sa i përket konkursit, menjëherë pas reagimit, kam kërkuar nga Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore që ta adresojnë sa më shpejt këtë problematikë dhe të më raportojnë. Nuk kisha thënë edhe nuk mundemi të themi njëherë që është e ligjshme ose e paligjshme, me ardhë në konstatime të tilla, pasi që janë disa organe të tjera që duhet ta thonë këtë konstatim dhe pastaj të me raportojnë mua. Mirëpo në momentin që me raportojnë mua, atëherë do të merren vendime konform ligjit”, ka thënë Vitia.
Krahas shkeljeve të evidentuara nga grupi i OJQ-ve, KOHA nëpërmjet një analize të konkursit ka vërejtur edhe dy kritere që nuk praktikohen në konkurse publike. Sipas kësaj, mes shumë kritereve është vendosur edhe ai që ua ndalon menaxherëve aktualë të shëndetësisë publike që të bëhen pjesë e konkursit. Në konkurs kjo thuhet të jetë kërkesë specifike, ani se në të shkuarën nuk është praktikuar për institucione shëndetësore.
“Të mos ketë pasur pronësi zotëruese-kontrolluese ose pozitë drejtuese në institucionet shëndetësore publike ose private, përfshirë barnatoret, në 3 vjetët e fundit”, thuhet në konkurs.
Një pikë tjetër e diskutueshme është ajo që konkursi e kualifikon si përvojë menaxheriale, duke mos e kufizuar vetëm në menaxhim të stafit, por edhe të buxhetit.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka mbetur pa drejtor qysh nga viti i shkuar, kur Bordi e pati shkarkuar ish-drejtorin, Fatmir Plakiqi, pas serisë së hulumtimeve të KOHËS mbi keqmenaxhimet me këtë institucion.