1 perditesime
Arbëri

Studentët kundër Asociacionit: Populli e përcakton fatin e shtetit

Studentët kundër Asociacionit: Populli e përcakton fatin e shtetit
Foto: Driton Paqarada/KOHA
16:55

Studentët kundër Asociacionit: Populli e përcakton fatin e shtetit

Studentja Alba Lala ka thënë se po protestojnë para institucioneve për t’iu treguar se nuk e pranojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Para protestuesve ajo ka shtuar se nuk pranohet ndarja dhe bashkimi bëhet vetëm me Shqipërinë.

"Serbia në raport me shqiptarët ka të kaluar kriminale. Ne si studentë të kaluarën dhe historinë tonë nuk do ta harrojmë asnjëherë. Na ndan e na copëtuan vende historikisht ... prandaj bashkim vetëm me Shqipërinë, jo ndarje e as nënshtrim. Me trupat tanë, me jetët tona do ta mbrojmë Republikën tonë të ndërtuar me aq mund e gjak. Nga ky tubim ju bëjmë me dije autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare se ne nuk pranojmë themelim të Asociacionit", ka thënë Lala.

Kurse, Blerand Beka, student, ka theksuar se është vullneti i popullit ai që e përcakton fatin e shtetit.

"Kosova është shtet demokratik dhe si i tillë është vullneti i popullit ai që e përcakton fatin e shtetit... Çka për studentët e Luginës? Shteti jonë multietnik nuk toleron asociacion monoetnik. Ndarja etnike nuk kontribuon në paqe. Përmes marshit përçojmë një mesazh, duam bashkëjetesë, harmoni, paqe... por jo vetëm", deklaroi Beka.


Përfundon protesta kundër Asociacionit, të pranishëm edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta

Gazetarja e KOHËS, Valbona Bytyqi, ka njoftuar se marshit që u mbajt të mërkurën pasdite në kundërshtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përveç studentëve, i janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.

Kjo protestë, e organizuar nga Parlamenti Studentor ka nisur nga Biblioteka Kombëtare dhe ka vazhduar përgjatë shesheve kryesore të kryeqytetit, duke përfunduar pas një ore te Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Marshi ka pak minuta që ka përfunduar. Ka nisur nga Biblioteka kombëtare dhe ka vazhduar përgjatë shesheve kryesore të kryeqytetit dhe është ndalur te Teatri Kombëtar i Kosovës. Gjatë marshit kemi parë qindra qytetarë që kanë bartur parulla të shumta në kundërshtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionin derisa organizatorët e kësaj proteste kanë qenë përfaqësues të Parlamentit Studentor, mirëpo protestës përveç studentëve, i janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë si dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta”, ka thënë Bytyqi.

Ajo shtoi se organizatorët kanë thënë se formimi i Asociacionit do të ndante Kosovën dhe nuk mund të ketë një Asociacion njëetnik duke marrë parasysh se Kosova është shtet multietnik dhe bazuar në demokraci, vullneti i popullit duhet të merret parasysh dhe si i tillë sipas tyre, vullneti i popullit nuk është që të formohet ky Asociacion.

“Protestuesit pothuajse që të gjithë janë shpërndarë. Përveç organizatorëve ka pasur fjalime edhe nga përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, të cilët kanë thënë se janë në mbështetje të Qeverisë së Kosovës, të qëndrimeve të Albin Kurtit, i cili po e kundërshton zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel në vitin 2013 dhe edhe të derivateve të saj që kanë rrjedhur 2 vjet më pas. Kjo protestë ka ardhur pas presioneve nga bashkësia ndërkombëtare që vazhdimisht po bëjnë thirrje që të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar Bytyqi.

Image
16:18

Studentët kundër Asociacionit nisen drejt Qeverisë

Me thirrjet “Zajednica nuk kalon” dhe duke kënduar këngën “Besa Besë” një numër i madh i studentëve të cilët po protestojnë kundër Asociacionit, janë nisur nga oborri i Bibliotekës Kombëtare drejt ndërtesës së Qeverisë.

Marshi i cili po zhvillohet të mërkurën mban moton “Bashkë kundër Asociacionit”.

Ai organizohet në 53-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Marshuesit janë parë me flamur kombëtar e pankarta në duar.

Protestës i është bashkangjitur edhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.