Arbëri

PSD-ja akuzon Qeverinë se për dy vjet mandat “nuk ia ka ba vijë”

Descriptive Text

Partia Socialdemokrate (PSD), me një aksion simbolik ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që në dy vjet mandat nuk kanë punuar asgjë.

Sipas tyre për këto dy vjet Qeveria e Albin Kurtit “nuk ia ka bërë vijë”. Në këtë aksion ata ia kanë vizatuar një vijë me ngjyrë të verdhë ndërtesës së Qeverisë.

“Rrahje gjoksi e rritje e mendjes; shumë fjalë, shumë numra, shumë shifra. Para 2 vjetëve na thanë se ndodhi diçka e madhe, e jashtëzakonshme. A e dini çfarë ndodhi para 2 vjetëve? Bash asgjë. Sot është 14 shkurti. Sot kalon gjysmë mandati i kësaj Qeverie. Kjo Qeveri nuk e ka pasur programin transformues. Edhe sikur ta zbatonte s'do të bëhej nami. Problemi është që këta as nuk kanë filluar. Nuk ia kanë ba vijë”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Ata e kanë kritikuar Qeverinë për mosrealizim të premtimeve.

“I kanë premtuar 160 çerdhe të reja. Nuk është asnjë. Nuk ia kanë ba vijë. I kanë premtuar 2000 banesa për çifte të reja. Nuk kemi as gurthemel. Nuk ia kanë ba vijë. Kanë premtuar pesëfishimin e numrit të inspektorëve të punës. Nuk ia kanë ba vijë. Kanë premtuar rregullim të shëndetësisë. Kanë thënë s'do të ketë mungesë barnash, dhe do të fillojnë sigurimet shëndetësore. Nuk ia kanë ba vijë. Gjendja është veç më e rëndë”, thuhet në njoftim.

Ata e kanë akuzuar Qeverinë për gënjeshtra.

“Për ditën e dashurisë, për ata që dashurinë e dinë si ngjarje, ngjarja përcjellët me konsekuenca, ajo e ka subjektin e vet besnik. Kurrgjë ma keq s'ka mundur t'i ndodhë ditës së dashurisë se sa ky shpërfytyrim kolosal, kjo gënjeshtër e madhe”, thuhet në njoftim.