Arbëri

Kontestohet legjitimiteti i vendimit të Qeverisë për shtesa mjekëve që s’angazhohen në privat

Descriptive Text

Qeveria ka nxjerrë rregullore, me të cilën mundësohen pagesa shtesë për mjekët e sistemit publik që nuk angazhohen në ordinanca private. Bazuar në këtë rregullore, mjekët do të paguhen me shtesë prej 25 për qind të pagës bazë, po qe se tregojnë performancë të mirë. Ky vendim po vlerësohet se do të përfshijë numër të vogël të mjekëve teksa po kontestohen edhe ligjshmëria e tij, si dhe mënyra e matjes së performancës së mjekëve përfitues

Mundësia që mjekët specialistë të sistemit publik shëndetësor të stimulohen me pagesa shtesë, me kushtin që të mos angazhohen me punë në spitale e ordinanca private, po kontestohet në aspektin e legjitimitetit. Krahas kësaj, po kontestohet edhe çështja nëse një mundësi e tillë mund të zbatohet në spitalet publike.

Qeveria tashmë e ka nxjerrë një rregullore për pagesën e shtesave. Bazuar në këtë rregullore, përfshirja vlen vetëm për mjekë specialistë, me kushtin e parë që ata të mos punojnë në sektorin privat.

Rregullorja e përcakton edhe shumën dhe kushtet e tjera që duhet t’i përmbushin punëtorët shëndetësor për të qenë përfitues.

“Vlera e shtesës së nëpunësit të sistemit shëndetësor do të jetë deri në njëzetë e pesë për qind (25%) e pagës bazë të atij nëpunësi, duke marrë parasysh kufizimin, sipas paragrafit 2 të këtij neni”, thuhet në rregullore.

Kriteri kryesor që një mjek specialist të përfitojë nga skema, bazuar në këtë rregullore, është që të demonstrojë performancë pozitive.

“Për të përfituar shtesën për nëpunësin e sistemit shëndetësor, duhet të plotësohen kritere si në vijim: Nëpunësi duhet të jetë mjek specialist (Klasa H8) i nivelit parësor, dytësor apo tretësor të shëndetësisë; Të nënshkruaj deklaratën nën betim; Të ketë vlerësim pozitiv të performancës në bazë të indikatorëve të vlerësimit të njësisë përkatëse e dhënë nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë”, thuhet tutje në rregullore.

Por në Odën e Mjekëve të Kosovës, ende nuk është e qartë ligjshmëria e kësaj rregulloreje. Në një deklaratë për KOHËN, kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, ka thënë se rregullorja, në formën se si është bërë, është diskriminuese.

“Arsyetimi ose piketimi i vetëm atyre që nuk punojnë privat është diskriminues. Unë mendoj që mund të këtë probleme me kushtetueshmëri. Po të ishte stimulim në performancë apo gjëra të tjera, do të ishte me e qëlluar, edhe pse më rëndë e implementueshme, por do të ishte larg spektrit diskriminues”, ka thënë Sejdiu.

Përderisa nga kjo instancë janë në diskutime fillestare nëse ligjshmëria e këtij vendimi dhe rregulloreje do të kontestohej, Sejdiu ka deklaruar që numri i mjekëve që mund të përfitojnë nga shtesat, do të jetë minimal.

Për 300 euro më shumë në muaj, ai ka thënë se është e pamundur që specialistët e drejtimeve deficitare ta braktisin sektorin privat e të fokusohen vetëm në sistemin publik shëndetësor.

Ai ka shprehur vërejtje po ashtu se edhe se matja e performancës nuk mund të bëhet në mënyrë adekuate dhe ka thënë që ky kriter është vetëm një formalitet.

“Do të jem shumë real, ajo është vetëm formale. Nuk besoj që mund të thotë dikush që ka ndonjë matje të performancës apo vlerësim, i cili bëhet bazuar në disa matje. Cilat janë ato matje? Çdo gjë që është bërë deri tash është formale dhe rutinore”, ka thënë Sejdiu.

Lidhur me çështjen, KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga kabineti i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, porse deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Ditë me parë, ministri Vitia pati thënë se me këtë rregullore, mjekët do të mund të marrin paga mujore deri në 1 mijë e 800 euro.

“Për një mjek specialist, me të gjitha këto që përmenda, nëse punon vetëm në SHSKUK mund t’i shkojë rroga deri në 1700-1800, ndoshta edhe më shumë euro në muaj”, pati deklaruar Vitia.

Një numër i madh i mjekëve, gjatë viteve të fundit, ka braktisur sistemin publik të shëndetësisë, duke zgjedhur angazhimin në atë privat, por edhe jashtë vendit.