Arbëri

Kuvendi miraton në parim koeficientin 105 euro

63 deputetë të Kuvendit votuan për t’iu dhënë miratimin në parim ndryshimeve ligjore të buxhetit për vitin 2023, me të cilat parashihet që koeficienti për pagat në sektorin publik të jetë 105 euro.

Kërkesa e deputetëve opozitarë për rritjen e vlerës së koeficientit nga 105 në 125 euro e ktheu debatin në rrafshin e njohurive ekonomike, duke përplasur ashpër ministrin e Financave, Hekuran Murati, me liderin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

Ministri Murati tha se udhëheqësi i LDK-së po ia huq çdo koncepti ekonomik, kur kërkon që vlera e koeficientit të jetë 125 euro.

“Sa i përket ligjëratës së Abdixhikut, mund të them, mjerë studentët që kanë pasur rastin ta dëgjojnë. Me të vërtet është fatkeqësi. Kjo shihet edhe në rezultatin pastaj në tregun e punës që studentët që dalin nga profesor si ky, nuk kanë njohuri bazike për të konkurruar në tregun e punës. Dikush që thotë se inflacioni është krizë ekonomike, shihet se ia ka huq çdo koncepti ekonomik”, tha Murati.

E Abdixhiku tha se fajin kryesor që Murati është sot ministër e ka deputeti Avdullah Hoti, që e mbajti atë afër sa ishte ministër.

“Fajin për një ministër të tillë që e kemi sot e ka vetëm Avdullah Hoti, që e ka mbajtur afër në Ministri të Financave. Ky nuk ka lidhje bazike për zhvillimet më elementare që ndodhin aty...Prandaj për gjëra të tjera bazike edhe një herë po them vitin e ardhshëm mund të vish në ligjëratën e re dhe të kuptosh. Shumica e deputetëve të juaj kanë qenë studentë të mijë përndryshe”, u përgjigj Abdixhiku.

Kritika për vlerën e koeficientit pati edhe nga deputetë të PDK-së.

“Thuani se sa është paga minimale sipas ligjit, thuani se sa është rritja ekonomike reale, sa është inflacioni a e keni inkorporuar inflacionin në këtë ligj janë pyetje elementare nuk po hyjë në detaje, sa është balancuar inflacioni prej 13% në këtë ligj në këtë koeficienti prandaj mos sepse jashtë dinjitetit tonë po na obligon me u drejtua me komunikua me ju, mos luaj kështu është marre”, deklaroi Ferat Shala i PDK-së.

Publikimi i një videoje të re nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën ironizohet me propozimet e LDK-së për ekonomik, nxiti gjithashtu reagim në Kuvend.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e quajti video propaganduese.

E pas miratimit në parim të ndryshimeve ligjore, nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes kërkuan që votimi në lexim të dytë të bëhet me procedurë të përshpejtuar, gjatë së enjtes.

Ndaj Ligjit të Pagave janë deponuar 18 ankesa në Institucionin e Avokatit të Popullit për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese.