Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë njoftuar se kanë shpëtuar nga rrënojat e tërmetit në Turqi një fëmijë të moshës 2-vjeçare.
Përmes një komunikate për media thuhet se ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë dhe në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dy vjeçare duke shtuar se janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja.
“Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por prioritet është duke ju dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë”, thuhet në njoftim.
Shpëtimin e këtij fëmije e kanë konfirmuar për KOHËN edhe nga Ministria e Mbrojtjes.